E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet në mes të Durrësit vëllai i Klodian Saliut, rivalit të Lul Berishës

Ekzekutohet vëllai i Klodian Saliut, rivalit të Lul Berishës. Arian Saliu, 37 vjeç, është qëlluar disa herë gjatë pasdites së djeshme nga dy persona që udhëtonin me motor, çka i ka shkaktuar atij vdekjen. Në momentin e ekzekutimit, 37-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, Denis Hoxha, i cili ka mbetur i plagosur lehtë. Sipas burimeve të policisë, nuk dihen ende autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa dyshimet bihen mbi pjesëtarët që gjenden në liri të bandës së Durrësit.

Ekzekutimi

Një vit pas ekzekutimit të Ndriçim Saliut, kundërshtarët e Klodian Saliut, një prej eksponentëve kryesorë të bandës së Durrësit, kanë ekzekutuar edhe vëllain tjetër të tij, 37-vjeçarin Arian Saliu. Ekzekutimi mafioz ka ndodhur gjatë orës 16:30 të pasdites së djeshme, në lagjen Nr. 15 të qytetit të Durrësit, mes Drejtorisë së Policisë dhe lagjes Spitallë. Sipas burimeve të policisë, Saliu është qëlluar nga dy persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me motor. Ne momentin e vrasjes viktima ka qenë duke zbritur nga makina, ku ndodhej bashkë me një person tjetër, Denis Hoxhën, teksa është qëlluar nga disa plumba. Menjëherë pas kësaj, autorët e ekzekutimit janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që trupi i Arian Saliut është dërguar në spital. Pavarësisht përpjekjeve të punonjësve të spitalit të Durrësit, 37-vjeçari nuk ka mundur dot që të mbijetojë, duke qenë se kishte marrë katër plumba në trup, çka i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Ndërkohë, Denis Hoxha, i cili në momentin e atentatit ndaj vëllait të Klodian Saliut ka qenë duke udhëtuar me automjetin e viktimës, ka marrë vetëm disa gërvishtje të lehta. Burime pranë policisë bënë të ditur se nuk kanë arritur dot që të identifikojnë autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa thanë se Arian Saliu ishte porositur prej kohësh që mos të dilte nga shtëpia, pasi dyshonin se atij mund t’i kryenin ndonjë atentat. Dhe dyshimi i policisë nuk ka qenë i pabazë, pasi vetëm një vit më parë, kundërshtarët e Klodian Saliut, i cili është vrarë disa vite me parë, kanë ekzekutuar vëllain tjetër të tij, Ndriçim Saliun.

Dyshimet

Kur dukej se vrasjet mafioze në qytetin e Durrësit mes pjesëtarëve të njërës prej bandave më të frikshme që kanë ekzistuar në këtë qytet kishin marrë fund, ekzekutimi i Arian Saliut ka risjellë sërish panik në qytetin bregdetar, vrasje kjo që mund të pasohet me të tjera ekzekutime. Edhe pse nuk janë zbardhur ende autorët e vrasjes së vëllait të Klodian Saliut, i cili ka qenë një nga rivalët e Lul Berishës, i akuzuar si kreu i bandës së Durrësit, policia dyshon që autorët e ekzekutimit mafioz të Arian Saliut të jenë pikërisht anëtarët e bandës së Durrësit që gjenden në liri. Kjo, duke qenë se vetëm një vit më parë, Indrit Taullaj, kreu i djathtë i Lul Berishës, u arrestua nga policia si autor i ekzekutimit të Ndriçim Saliut, çka solli më pas edhe vrasjen e Ervin Çukjes, si hakmarrje e familjes Saliu. Hakmarrje kjo që duket se ka lënë shije të hidhur të rivalët e Klodian Saliut, të cilët për të njëjtin motiv, atë të hakmarrjes, kanë ekzekutuar edhe djalin tjetër të familjes Saliu, Arian Saliun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›