Meta: Po ndërtojmë koalicion fitues
Aristir Lumezi
Deputeti socialist Petro Koçi është pjesë e grupit më të ri parlamentar "E majta për Integrim" bashkë me LSI-në. Pas një bashkëpunimi të gjatë që nisi me mbrojtjen e Kushtetutës, përmes kërkesës për një referendum popullor, pas 21 prillit, Koçi dhe Meta shtrënguan dje në mënyrë simbolike duart, duke nënshkruar kështu dhe bashkëpunimin institucional brenda një grupi parlamentar në Kuvend. "Jam i bindur, me shumë sukses në të ardhmen edhe me ndërtimin dhe konfigurimin e një koalicioni fitues për vlerat e së majtës dhe gjithë progresistëve në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009", u shpreh Meta. Mësohet se do të ketë dhe lëvizje të tjera drejt grupit të ri parlamentar dhe pse Paskal Milo, i cili është deklaruar i hapur për bashkëpunim me PS-në, nuk është larguar nga grupi parlamentar LSI-PDS. Nuk kanë qenë të paktë deputetët socialistë që i janë bashkangjitur lëvizjes politike, por dhe të shoqërisë civile në mbrojtje të Kushtetutës, pas ndryshimeve që asaj iu bë me votat e dy partive të mëdha, PS-PD. Si kreu i LSI-së, Ilir Meta, ashtu dhe deputeti socialist, Petro Koçi, nuk e përjashtuan mundësinë e zgjerimit të grupit të ri parlamentar dhe me deputetë të tjerë.
Takimi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pas takimit me Koçin u shpreh i bindur se do të konfigurohet një koalicion fitues për vlerat e së majtës. "Jam i bindur që do të jetë një bashkëpunim shumë i suksesshëm, duke patur në konsideratë integritetin e njohur të zotit Koçi dhe përkushtimin e tij ndaj çështjeve të rëndësishme të mëdha, sikurse ka ndodhur dhe tani. Jemi të bindur që dështimi i reformave të deritanishme kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm, të përditshëm, jo vetëm në Parlament, por në të gjithë Shqipërinë, me të gjithë socialistët dhe progresistët tashmë të papërfaqësuar dhe të cilët nuk mund të abstenojnë përballë shkatërrimit të vlerave të së majtës, apo për më tepër, përballë kapjes së lidershipit formal të PS-së nga pushteti i Sali Berishës", tha Meta. Duke u shprehur i hapur në bashkëpunimin e ri parlamentar, por dhe më gjerë, kreu i LSI-së tha dje se koalicioni i ri që po krijohet do të jetë një bashkim vlerash. "Njëkohësisht jemi të hapur për të integruar të gjithë ata, të cilët kanë kontribute për të dhënë, të cilët kanë se çfarë të thonë, të cilët kërkojnë një mundësi, një tribunë ku të përfaqësohen me dinjitet. Më duhet të theksoj se ky nuk është një koalicion bishtash, ky është një koalicion principesh. Ajo çfarë na ka bashkuar, në radhë të parë me zotin Koçi, sikurse ju e dini shumë mirë, është kundërvënia ndaj puçit kushtetues në natën e 21 prillit", tha Meta.
Koçi: Parti të re, jo shkrirje me LSI
Deputeti socialist Petro Koçi sqaron përfshirjen e tij në një grup parlamentar me LSI-së dhe regjistrimin e Lëvizjes që drejton si parti politike.
Zoti Koçi, cili do të jetë pozicioni i Lëvizjes Institucionale në degë pas këtij bashkimi në grup parlamentar?
Ky ishte finalizimi i një bashkëpunimi të deritanishëm me forcat progresiste të së majtës për mbrojtjen e Kushtetutës, denoncimin e krimit të Gërdecit, denoncimin e privatizimit të shtetit nga "vëllezërit Berisha". Ndërkohë që Lëvizja jonë projekton hapa të tjerë organizativë që do reflektojnë dhe situatën e re të krijuar për shkak të formulës që imponon sistemi i ri zgjedhor. Pra, bashkëpunimi parlamentar do të kalojë edhe në bashkëpunim elektoral, por kjo kërkon patjetër krijimin e një forme të subjektit elektoral.
Mendoni se do të ketë dhe lëvizje të tjera nga grupi i PS-së?
Ky është fillimi dhe unë besoj se ngjarjet në vijim do të krijojnë arsye të tjera për të kuptuar se privatizimi i shtetit, Kushtetutës dhe i partive politike, bien ndesh me parimet e një demokracie dhe me hapësirat e domosdoshme të lirisë. Grupi i ri është një grup socialistësh, ndërsa PS-ja i ngjan më shumë një partie ish-socialiste.
Lëvizja juaj do të shkrihet me LSI-në apo do të kemi ndonjë zhvillim tjetër?
Ne jemi një lëvizje partiakisht e pavarur nga LSI-ja, por dhe tashmë nga PS-ja e Ramës. E ritheksoj se Kodi Elektoral që po troket e bën të domosdoshme krijimin e një subjekti politik, në mënyrë që edhe pjesëmarrja në koalicionin "E majta për Integrim" të realizohet me përfaqësim dinjitoz.
Koalicioni i përbërë
Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur kundër propozimit të negociatorëve të PS-së për krijimin e koalicioneve të përbëra. Sipas saj, PS-ja kërkon të krijojë koalicione që çojnë në një dushk të ri, kësaj radhe në favor të partive të mëdha. Ndërkaq pas takimeve me PS, PDS dhe PSD janë shprehur pro krijimit të koalicioneve të përbëra, duke i parë ato si mundësi të shmangies së firos të votës së majtë.
Korrektimi i sistemit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se kusht për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme me PS-në duhet të jetë korrektimi kombëtar i sistemit zgjedhor me një prag të caktuar. Vetëm kështu, sipas LSI-së, mund të ndreqet deri diku ajo që ka ndodhur me sistemin zgjedhor, i cili u vendos proporcional rajonal nga dy partitë e mëdha për të eliminuar partitë e vogla.