Vizat, hyn në fuqi marrëveshja me Maqedoninë
Marrëveshja e negociuar në fillim të muajit shkurt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, për të hequr regjimin e vizave hyn më në fund në fuqi. Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bën të ditur që marrëveshja ka hyrë në fuqi më 27 gusht. Kjo marrëveshje pritet të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve në të dy anët e kufirit dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Në këtë marrëveshje parashikohet përjashtimi nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve, të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme, të shërbimit dhe diplomatike, dhe dëshirojnë të hyjnë, tranzitojnë ose qëndrojnë në territorin e secilit vend. Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera. Kjo është një nga risitë e kësaj marrëveshje, që i përputhet dëshirës së të dy palëve për lehtësimin maksimal nga barrierat apo detyrimet, duke e përqasur praktikën e lëvizjes ndërmjet dy vendeve me praktikën e lëvizjes së shtetasve në hapësirën e BE-së.