E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutoi bashkëshortin, dënohet me 11 vite burg

Gruaja që ekzekutoi bashkëshortin do të qëndrojë 11 vite në burg. Gjykata e Tiranës vendosi dje të shpallë fajtore për krimin e kryer muaj më parë në një prej fshatrave të Tiranës. Aishe Pojani akuzohet për "vrasje me dashje" të bashkëshortit të saj, Hasan Pojani, në mars të 2007-s në fshatin Baldushk të Tiranës. Një seancë më parë prokurori i çështjes kërkoi që e pandehura të dënohej me 12 vite burg. 46-vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve, u shpall fajtore për vrasjen me sende të forta të burrit të saj dhe më pas varrosjen e tij pranë shtëpisë së tyre në fshatin Baldushk. Hetimet për këtë ngjarje morën shkas nga denoncimi i bërë në polici nga të afërm të viktimës për humbjen e shtetasit Hasan Pojani. Nga bashkëshortja e tij fillimisht u deklarua se Hasani kishte shkuar emigrant në Greqi dhe që prej asaj kohe nuk kishte pasur kontakte me të. Megjithatë, ky deklarim nuk e bindi policinë, e cila intensifikoi hetimet për ngjarjen, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e një krimi brenda familjes. Hetimet morën rrjedhë tjetër, kur disa metra larg shtëpisë së familjes Pojani, në një godinë të vjetër, u gjet i groposur trupi i pajetë i Hasanit, bashkëshortit të Aishes. Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, Hasan Pojani ishte vrarë me sende të forta. Mbi bazën e një urdhër-ndalimi të Prokurorisë së Tiranës, policia e kryeqytetit arrestoi si autore të kësaj vrasjeje, 46-vjeçaren. Grupi hetimor, mbi bazën e provave në vendin e ngjarjes, ndërtoi edhe skemën e krimit. Gjatë marrjes në pyetje, vetë e pandehura Pojana ka pranuar autorësinë e vrasjes. Ajo ka pohuar se e ka ndërmarrë një akt të tillë ndaj bashkëshortit pasi ai, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Gjithashtu ajo ka pohuar se e kishte kryer vrasjen në kushtet e tronditjes psikike, pretendim që është hedhur poshtë në vendimin e Gjykatës.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›