Spahiu: “Gjyqtarë, kujdes me arsyetimet e vendimeve”
Vlerësimi, togat e zeza që rrezikojnë të përjashtohen. Çështjet që u diskutuan dje në Gjykatën e Apelit të Vlorës
Laureta Rryçi
Gjyqtarët duhet të bëjnë kujdes në arsyetimin e vendimeve. Shqyrtimi i dosjes jashtë parametrave të duhur mund t’i rrezikojnë punën gjithsecilit prej gjyqtarëve. Kështu ka deklaruar dje në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit të Vlorës, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Para gjyqtarëve të Vlorës, Spahiu ka rrëfyer se probleme ka dhe me arsyetimin e shtyrjes së seancave. Do të jetë pikërisht vlerësimi i gjyqtarëve që do të shërbejë për largimin e të gjithë trupës gjyqësore, që do të cilësohet si e paaftë. Spahiu nënvizoi se asnjë strategji nuk mund të realizohet pa një analizë, pa një indikacion të punës së bërë gjatë vitit të kaluar. Këto analiza, që po zhvillohen në të gjithë vendin, sipas Spahiut, do t’i shërbejnë KLD-së të ndërtojë një strategji të saktë e të suksesshme në të ardhmen.
Monitorimi
“KLD-ja ka zgjedhur një model të veçantë për të realizuar këto analiza pune”, - theksoi ai, duke përmendur organizimin e tyre mbi bazën e juridiksionit tokësor të Gjykatave të Apelit. Ky model, sipas nënkryetarit të KLD-së, është përzgjedhur për të nxitur dhe stimuluar debatin mes Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit, mes vetë gjyqtarëve për problemet që po kalon sot sistemi gjyqësor. Ai solli me këtë rast shembullin e Gjirokastrës, ku u zhvillua një debat mjaft konstruktiv dhe ku, sipas Spahiut, “gjyqtarët, në mënyrë individuale, treguan identitetin e tyre në targetimin e problemeve”. Spahiu vijoi më tej se këto analiza vijnë të sinkronizuara me një sërë vendimesh të KLD-së, që kanë lidhje me inspektimin tematik që ka filluar e do të kryhet në të gjitha gjykatat e vendit. Sipas tij, po kryhet një monitorim i përgjithshëm i veprimtarisë së gjyqësorit. Por, veç kësaj, ai shtoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë po realizon një monitorim të punës së drejtuesve të gjykatave, të cilët duhet t’i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme monitorimit nga ana e KLD-së
Në fjalën e tij, Spahiu u ndal në domosdoshmërinë e futjes së garës, të konkurrencës në përzgjedhjen e drejtuesve të gjykatave, duke theksuar se askush nuk do të përjashtohet nga kjo garë, as drejtuesit, apo ish-drejtuesit, të cilët do të përballen së shpejti me këtë garë.
Inspektimet
Nënkryetari i KLD-së bëri të ditur realizimin e shpejtë të procesit të vlerësimit të punës së gjykatave të Tiranës, Durrësit e Elbasanit, ndërkohë që shtoi se “çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do t’i nënshtrohet sistemit të vlerësimit”. Sipas tij, çdo gjyqtar do të përjashtohet nga sistemi nëse do të vlerësohet i paaftë. Spahiu tha se shpesh konstatohet cilësi e dobët në arsyetimin e vendimeve nga ana e gjyqtarëve, ndërkohë që i njëjti shqetësim vihet re edhe në arsyetimin e vendimeve për shtyrjen e seancave. Në këtë kontekst, ai theksoi se “produktiviteti dhe rentabiliteti në veprimtarinë gjyqësore duhet të shkojnë drejt eficencës”. Duke iu referuar vendimeve të fundit të KLD-së për shkarkimin e kryetares së Gjykatës së Apelit të Vlorës dhe disa gjyqtarëve, Spahiu evidentoi vendosmërinë për të mbrojtur gjyqësorin dhe gjyqtarët, të cilët, nga ana tjetër, duhet të përmbushin detyrimet që burojnë nga ligji themeltar dhe ligjet e tjera, në mbrojtje të kushtetutës.
26 Shkurt 2008