E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia zgjeron hapësirat e biznesit Shqipëri-Kosovë

U mbushën pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, Shqipëri-Kosovë dhe prej vitit 2003 bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar dhe hapësirat e biznesit kanë njohur vetëm rritje. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet dy vendeve filloi zbatimin e saj konkret në muajin tetor 2003. Prej kësaj marrëveshjeje përfitonin që atë vit pa tarifa doganore rreth 50 për qind e mallrave që realizohen në shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në vitin e parë të hyrjes në fuqi të marrëveshjes, shkëmbimet tregtare ishin në nivele modeste dhe arritën në afro 10 milionë euro, ku eksportet nga Shqipëria kapën vlerën e afro 7 milionë eurove, ndërsa importet nga Kosova 3.3 milionë euro. Në vitin 2004 shkëmbimet tregtare, falë avantazheve të kësaj marrëveshjeje, pësuan menjëherë rritje, duke kapur një vlerë të përgjithshme prej mbi 26 milionë eurosh. Afaristë nga Shqipëria zgjeruan kontaktet me tregtarë kosovarë, duke eksportuar gjatë vitit 2004 mallra dhe artikuj industrialë me një vlerë të përgjithshme prej mbi 22 milionë euro, ndërsa hynë në tregjet shqiptare mallra nga Kosova me vlerë 4.2 milionë euro. Në vitin 2005, për herë të parë nisën të zgjerohen importet e mallrave nga Kosova drejt Shqipërisë, që kapën një vlerë prej 9.1 milionë euro, duke ngushtuar deficitin tregtar. Eksportet e produkteve shqiptare kapën atë vit vlerën e 21.886 milionë eurove. Në vitin 2006 shkëmbimet tregtare me Kosovën arritën vlerën e rreth 38 milionë eurove ku eksportet arritën vlerën e 23.759 milionë euro, ndërsa importet 14.198 milionë euro. Më 11 korrik 2006, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bujar Dugolli, nënshkruan marrëveshjen e re të tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve, me anë të së cilës liberalizohen plotësisht shkëmbimet tregtare dhe hiqen të gjitha tarifat doganore mes të dy vendeve. Efektet e kësaj marrëveshjeje u ndjenë menjëherë në rritjen e volumit tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës që kapën në vitin 2007, vlerën e afro 60 milionë eurove, duke u dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Në fushën e produkteve bujqësore, pala kosovare propozoi liberalizimin e plotë të të gjithë produkteve bujqësore, propozim i cili u pranua nga pala shqiptare.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›