E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e barrierave kufitare të transportit zhvilloi turizmin shqiptar

Më 23 mars 2007 u mbajt në Tiranë takimi i radhës i komisionit të përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, ku u vendos heqja e barrierave kufitare me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve dhe udhëtarëve ndërmjet dy vendeve. Në takim u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me transportin e udhëtarëve dhe mallrave. Nga të dyja palët u konstatua se zhvillimet aktuale dhe rritjet në përmirësimin e monitorimit të tregut të transportit të udhëtarëve, sidomos atij të transporteve të rastit dhe vajtje-ardhjeve, që i shërbejnë turizmit në përgjithësi, janë prioritare. Një nga çështjet me shumë interes që u diskutua nga të dy palët ishte liberalizimi në transportin e mallrave. Gjatë këtij takimi, pala shqiptare propozoi ndryshimin e marrëveshjes aktuale të transportit ndërmjet dy vendeve, me qëllim që transporti bilateral ose tranzit përmes territoreve të të dyja vendeve të kryhet pa leje kalimi. Në shkëmbimin e informacionit në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së transportit rrugor, hartimin e legjislacionit të ri në fushën e transportit rrugor dhe unifikimin e dokumenteve që shoqërojnë mjetet gjatë udhëtimit, të dyja palët konstatuan se ngritja e një grupi pune të përbashkët ndihmon në mënyrë efektive zhvillimin e transportit. Me qëllim heqjen e barrierave kufitare në lidhje me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mjeteve të dyja palët ranë dakord që mjetet e palëve të kontrollohen vetëm një herë në territoret respektive, pra një mjet shqiptar të kontrollohet vetëm një herë në territorin kosovar dhe anasjelltas. Gjithashtu, të dyja palët vendosën që të fillojnë përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje të re për transportin rrugor ndërmjet dy vendeve, e cila në përmbajtje të saj të përvijohet nga frymë konstruktive më liberale për të gjitha fushat e transportit rrugor ndërmjet dy vendeve.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›