E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve, pritet ngritja e Komisionit të Verifikimit të Figurave



Me miratimin e ligjit të dosjeve në Kuvend, tashmë pritet ngritja e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare, i cili do të verifikojë të gjithë zyrtarët e shtetit dhe do të lëshojë certifikatën e lustracionit. Miratimi i ligjit i ka hapur rrugën procesit të ngritjes së strukturave të duhura që do të bëjnë të gjitha hetimet përkatëse. Me hyrjen në fuqi të ligjit, Kuvendi do të duhet të miratojë 5 anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare. Anëtarët e Autoritetit do të votohen të gjithë nga Kuvendi dhe në rast se opozita nuk pranon të japë dy propozimet e saj për anëtarë, atëherë Kuvendi do të miratojë dy figura nga shoqëria civile. Në këtë mënyrë opozita nuk mund të bllokojë procesin, duke mos dashur të japë emrat e vet. Pas miratimit të anëtarëve të Komisionit, ky i fundit do të miratojë të gjithë organikën e tij i cili do të bëhet nga specialistë të shumtë. Subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Zyrtarët që do të verifikohen janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive e deri tek anëtarët e këshillave bashkiakë apo komunalë. Çdo i përndjekur politik apo çdo person që ka jetuar në atë periudhë dhe ka qenë i bindur se ndiqej dhe spiunohej nga Sigurimi i Shtetit, mund të bëjë kërkesë për t’u njohur me gjithë aktivitetin që ka bërë Sigurimi për personin e tij. Pavarësisht se mund të marrë dosjen operative, viktima nuk mund të marrë si informacion se cili operativ i Sigurimit është marrë me dosjen e tij apo cili bashkëpunëtor i Sigurimit ka spiunuar. Ligji ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›