“Elba Folk”,ansambli më i mirë në Festivalin e Ankarasë
Mes 155 ansambleve folklorike nga e gjithë bota, ai shqiptar “Elba-Folk” meritoi trofeun e festivalit të Ankarasë. Veprimtaritë folkloristike ndërkombëtare janë bërë të shumta dhe të shumëllojshme në botë. Ato janë kthyer në shkëmbim përvoje artistike dhe aktivitete çlodhëse dhe edukuese për brezin e ri. Të shumta janë grupet dhe shoqatat kulturore artistike që promovojnë folkun, kostumin popullor të veçantë shqiptar në botë, melodinë popullore, artin e bukur të vendit tonë. Shoqata me emër si “Skënderbeu”, “Dardania”, “Isuf Myzyri”, “Myzeqeja”, “Durrësi”, “Tirana”, “Dibra”, “Djemtë e Vjosës”, “Vlorë”, “Përmeti”, e plot të tjera, përfaqësojnë me dinjitet vendin tonë, e paraqitin koloritin e madh dhe të bukur të artit tonë popullor.
Këto ditë përfundoi në Ankara të Turqisë, Festivali Anadollian i Traditës, me temën “Rinia të njohë folklorin, traditën e hershme të së parëve”. Vetë pjesëmarrja: 81 ansamble nga bota dhe 74 ansamble nga Turqia, flet për madhështinë e këtij festivali, që zhvillohej nën kujdesin e kryeministrit turk Taip Erdogan. Sipas presidentit të ansamblit “Elba-Folk”, Thanas Meksi, ishte një festival shumë mirë i organizuar dhe menaxhuar, me një diapazon të gjerë dhe tematikë të larmishme, ku tema e tij shtrihej më tej, në dashurinë mes popujve. Flamuj të së gjitha vendeve të botës valëviteshin anekënd, kostume shumëngjyrëshe ngjiteshin nëpër skena dhe sallonet turistike; entuziazmi dhe gjallëria “pushtonin” Ankaranë..
Të krijohej përshtypja se një “grusht” shqiptarësh, do kalonin pa u vënë re në këtë mori artistike. Por nuk ishte kështu...
Ansambli “Elba Folk” megjithëse i vogël, ishte prezantuar kohë më parë përpara organizatorëve me librin “Elba Folku në vite”, me postera dhe fotografi artistike, me guidë dhe diskografi, me historik dhe vlerësime nga bota, me çmimet e merituara, stemë dhe flamur, këngën e tij, dokumentarët artistikë me metrazh të shkurtër, etj., si dhe veprimtaria e drejtuesit të grupit, me 14 botime për traditën popullore të Elbasanit dhe pjesëmarrja në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Parapërgatitja dhe paraqitja me dinjitet e programit, i hap vend radhës së konkurrimit, bashkëbisedimit me udhëheqësin artistik të festivalit, regjisorin, por edhe konferencierin, i cili nga bashkëbisedimi ndërton libretin dhe paraqet ansamblin. Edhe në Festivalin e Moskës, por edhe në Festivalin e Ankarasë u arrit vlerësimi më i lartë, fitorja e “Çelësit të Artë” dhe shpalljes si “Ansambli më i mirë”. Në Festivalin e Moskës ‘07, prezantimi i këngës “Vajtja në Elbasan” e krijuar nga kantautori rus Reshit Bejbutov në vitin 1951 në Elbasan, veç habisë krijoi edhe entuziazëm tek spektatorët. Po kështu, në Festivalin e Ankarasë, në “Dasmën elbasanase”, në këngën “Sa bukur na ka dalë nusja”, i bëri spektatorët që ta këndojnë edhe ata këngën, veçanërisht në refren... Këtu, programi u ngrit, u pasua me djegien e shamisë së beqarit, etj.
Këto pasazhe artistike, këto gjetje të mbështetura në histori, krijojnë përshtypjen e një spektakli të studiuar dhe të bazuar në traditë kohore dhe është një promovim i bukur i folkut bashkëkohor. Ansambli “Elba Folk” u prit në mënyrë të shkëlqyer... Atje kanë shkëlqyer shumë këngëtarë me emër nga Shqipëria, si Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Llukë Kaçaj, apo Nina Mula, që kanë bërë konferencierët të ligjërojnë për to.
Në Festivalin e Ankarasë tërhoqi vëmendjen dhe salloni turistik kulturor i qarkut të Elbasanit, që promovoi veshjet e bukura elbasanase, vendet historike, traditën, etj., duke mos harruar dhe të shumëkërkuarën ballokume të Elbasanit. Të gjitha këto çuan në vlerësimin pozitiv të Ansamblit Popullor të Elbasanit. “Thembra e Akilit” për ansamblin e Elbasanit do të ishte: kombinimi i veshjeve të shumëllojshme popullore, orkestrina popullore melodioze, metodika dhe virtuozitetit i kërcimtarëve popullorë. Këtu duhet përmendur edhe bashkëpunimi i ngushtë prej vitesh i Ansamblit të Elbasanit me Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe Valleve Popullore.
Ka ardhur koha që ansamblet me emër, që organizojnë veprimtari cilësore brenda vendit, si festival, koncert, sfilatë, që paraqiten me dinjitet në festivalet botërore, të evidentohen, të kenë status të veçantë nga Ministria e Kulturës dhe të ndihmohen financiarisht prej saj dhe pushteti vendor.