Itali, euro vajzave për të shkuar në rezidencat e kryeministrit Berluskoni
“Edhe një herë mbushin gazetat me plehra dhe falsitete. Unë sigurisht që nuk do të kushtëzohem nga këto sulme dhe do të vazhdoj punën time, si gjithmonë, për të mirën e vendit”. Me deklaratën e kryeministrit italian, gazeta “La Repubblica” hap artikullin që komenton përvijimin, që ka marrë skandali i festave të kreut të qeverisë italiane. Gazeta shkruan se ajo që e ka zemëruar këtë herë kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, i cili në një deklaratë dhënë dje ka sulmuar sërish shtypin, është “Corriere della Sera”, me lajmet të publikuara në faqe të parë, mbi hetimin e prokurorisë mbi deklaratat e disa sipërmarrësve të përfshirë, që flasin për para të derdhura në llogaritë e disa vajzave për të marrë pjesë në festat e shtëpive të Silvio Berluskonit. Një rrëfim në “Corriere”, është ai i Patrizia D’Addario, kandidate në komunat e Barit në listën e Pdl-së. “Kam prova për atë që them”, ka deklaruar ajo. D’Addario, tregon se ka regjistrime që e vërtetojnë se ka marrë para dhe një kandidaturë në zgjedhjet bareze pas dy festave në pallatin Grazioli. Një prej festave ishte natën e zgjedhjes së Barak Obamës. Kreu i një sipërmarrjeje, “Tecnohospital”, shoqëri bareze që merret me furnizimin e teknologjive të spitaleve, (mbi të cilën prokuroria po heton për favorizime) ka pasur lidhje me Berluskonin gjatë viteve të fundit dhe në disa biseda telefonike kanë folur për festat e për vajzat, që u dërgonin ftesa në rezidencat e Berluskonit, në këmbim të shpërblimeve, gjëra që duhet të verifikohen nga prokuroria. “Jam paguar për të shkuar në Romë dhe për të takuar kryeministrin bashkë me vajza të tjera”, citon. Një miku i saj në Bari e ka kontaktuar, duke i kërkuar të marrë pjesë në këtë mbrëmje dhe kanë rënë dakord për një pagesë prej 2 000 eurosh. “Dhe atëherë ai më prezantoi me një farë Giampaolo”, tha D’Addario. “Me të ishin edhe vajza të tjera dhe së bashku hymë në pallatin Grazioli në një makinë me xhama të zinj. Më kishin thënë se emri im do të ishte Alessia”, tregon ajo për “Corriere”. Më pas hymë në një sallon të madh dhe gjetëm vajza të tjera, rreth 20. Pas pak mbërriti Berluskoni”. D’Addario tha se kishte marrë vetëm 1.000 euro nga 2.000 të premtuara, pasi “nuk kishte qëndruar”. Herën e dytë kishte qëndruar. “Ishte Giampaolo që organizonte gjithçka. Me shoferin na çoi në vilën e kryeministrit, por atë natë nuk kishte të ftuar të tjerë. Kur më pa Berluskoni u kujtua për bisedat, që kishim bërë herën e parë dhe më kërkoi të qëndroja. I kam të regjistruara të dyja takimet”, tha ajo. Në Bari prokuroria ka nisur një hetim për nxitje prostitucioni në vende ekskluzive të Romës dhe Sardenjës. Hetimi përfshin përgjegjësit e “Tecnohospital”, Gianpaolo Tarantini dhe vëllain e tij, Claudio. Në hetim thuhet se sipërmarrësi ka kontaktuar dhe dërguar në rezidenca private disa vajza.