Talenti shqiptar vesh fanellën e skuadrës së Barit
ZIRINA LLAMBRO
Talenti shqiptar, Fatmir Hysenbelliu, vesh fanellën e klubit të njohur italian AS Bari. Ai ka firmosur kontratën 1 vjeçare për sezonin e ardhshëm 2009-2010 dhe do të luajë me të rinjtë. I vetmi futbollist ekstrakomunitar që është përzgjedhur nga drejtuesit e klubit për t’u bërë pjesë e ekipit. Por ambicia e talentit të ri nuk ndalet me kaq. Pas një eksperience dyvjeçare në skuadrat më të njohura angleze, Totenhami Hotspur dhe Fulham FC, ai shpreson që brenda sezonit të ardhshëm të bëjë debutimin me ekipin e parë. “Uroj që kontrata me skuadrën e Barit tashmë që ka hyrë në serinë A të jetë një ogur i mirë dhe të debutoj njësoj si Antonio Casano në moshën 17-vjeçare. Duhet shumë punë por besoj gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet”, shprehet Fatmiri. Në fakt e ka nisur mbarë. Biseda decizive me presidentin e klubit të Barit, Vincenzo Matarrese, përkoi me ditën kur Bari fitoi kupën në kampionatin e serisë B. Duke u ngritur kështu në Kategori të Parë, krah skuadrave më në zë të Italisë. Pas fluturimit nga Londra, për të ndjekur ndeshjen gala në stadium, kësaj here në rolin e tifozit, Fatmir Hysenbelliu bashkë me menaxherët e tij kanë diskutuar për kontratën që do të nënshkruhej. Vetëm disa ditë më pas, drejtuesit e ekipit e kanë provuar në fushë dhe me përshtypjet mjaft të mira që u la, i kanë ndezur dritën jeshile. Kontrata tashmë është firmosur dhe më 27 korrik, në pozicionin e mesfushorit të djathtë organizator, Hysenbelliu nis stërvitjen për fazën parapërgatitore. “Është një mundësi shumë e madhe që të luash në një ekip të Serisë A, mbi të gjitha në Itali. Jam i vetmi lojtar jo italian për zezonin e ardhshëm që luan me të rinjtë e Barit dhe jo vetëm. Do të jap maksimumin tim që këtë mundësi ta shfrytëzoj siç duhet për të ecur më tej. Nuk ndalem me kaq”, pohon entuziast Fatmir Hysenbelliu. Pasi ka kaluar fëmijërinë te skuadrat e Partizanit dhe Olimpikut të Tiranës në Shqipëri, Hysenbelliu shkoi në Angli, me synimin e vetëm që të kalonte në një klub me emër. Fillimisht me skuadrën Totenhamit, ku ka marrë vlerësimet maksimale, Fatmiri konsiderohet si e ardhmja e futbollit shqiptar. Ai gjithashtu është stërvitur në Akademinë e Uest Hemit, nën urdhrat e trajneri Tony Carr. Hysenbelliu ka qenë titullar fiks në ekipet ku ka luajtur, ndërkohë që ka shënuar rregullisht gola. Ai ka fituar duartrokitjet jo vetëm të tifozëve por edhe vlerësimet maksimale prej emrave të mirënjohur të futbollit si Luca Nani, i cili ishte shtysa kryesore që Fatmiri të stërvitej në akademinë e Uest Hemit.