Elbasan, 38-vjeçarja hidhet në shinat e trenit
Gruas i janë prerë këmbët dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Shkak, gjendja ekonomike
ELBASAN-Vetëvritet duke u hedhur para trenit të linjës një 38-vjeçare me banim në qytetin e Elbasanit. Zylfie Buziu, 38-vjeç, ka vendosur t'i japë fund jetës duke u hedhur përpara lokomotivës në vendin e quajtur Unaza Jugore e qytetit të Elbasanit përgjatë segmentit hekurudhor. Gruaja që po lufton me vdekjen në spitalin kirurgjik të Elbasanit ka arritur në kohën kur pritej edhe treni i pasdites rreth orës 16.30 dhe sapo ka parë lokomotivën është hedhur duke u përfshirë në pjesën e këmbëve nga treni. Megjithëse makinisti ka tentuar të ndalojë trenin për këmbët e gruas nuk ka pasur asnjë mundësi dhe dëshmitarët i kanë parë të ndara nga trupi. Menjëherë me anë të një mjeti të rastit ajo është transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku i është dhënë ndihma e parë. Mjekët e kanë përcjellë menjëherë në sallën e operacionit për shkak se hemorragjia ka qenë shumë e madhe si pasojë e dëmtimit të madh të këmbëve. Gjendja e saj është shumë e rëndë dhe mjekët nuk japin shpresë. Gruaja mësohet se po kalonte një gjendje depresive si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike të familjes. Familjarët e saj të tronditur nga ajo që kanë mësuar kanë mbërritur menjëherë në spital ku edhe gruaja 38- vjeçare i është nënshtruar një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale. Burime nga policia bëjnë të ditur se është konfirmuar fakti se gruaja kishte tentuar t'i jepte fund jetës, pasi në momentin kur është hedhur ka pasur edhe dëshmitarë të tjerë, që kanë parë sesi ajo ka pritur trenin dhe është hedhur në shina.