E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja 48-vjeçar vret veten nga skamja

Varfëria mendohet të jetë shkaku i vetëvrasjes së babait të tre fëmijëve, që erdhi në Tiranë për një jetë më të mirë
Elezaj i ka dhënë fund jetës me armën e punës. Biseda e fundit me kolegun: Jam i mërzitur për vdekje
TIRANË- Skamja çon në vetëvrasje babanë e tre fëmijëve. Vetëflijimi ndodhi pasditen e djeshme, kur 48-vjeçari Bislim Elezaj vrau veten në kabinën e një subjekti privat, ku punonte si roje, pranë kthesës së Kamzës në Tiranë. Punonjësit e policisë, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia në vendngjarje pohuan për "Shekullin" se Elezaj ka qëlluar veten me armën e punës, pak minuta pasi kishte marrë turnin. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën dhe një gëzhojë. Festat e fundvitit duket se kanë bërë pesimist 48-vjeçarin, i cili në kushte të rënda ekonomike nuk ka mundur të festojë si gjithë të tjerët. Prej tre ditësh, ai kishte shfaqur shenja mërzie dhe depresioni, dozat e të cilave janë rritur pasditen e djeshme, duke e detyruar t'i japë fund jetës me një plumb në zemër.
***
Babai i tre fëmijëve, Bislim Elezaj, kishte zbritur nga Tropoja në Tiranë për një jetë më të mirë, por kishte mundur të siguronte vetëm një punë si roje pranë magazinave të një kompanie private, me seli pranë vendit të quajtur kthesa e Kamzës në kryeqytet. Pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, Elezaj është paraqitur në punë për të marrë detyrën e turnit të dytë. Pasi ka qëndruar pak minuta në kabinën pranë portës kryesore të fabrikës, 48-vjeçari ka dalë dhe është takuar me një koleg të tij, që ndodhej pak metra më tutje. "Jam shumë i mërzitur"- mësohet t'i ketë thënë kolegut të tij Elezaj, pa i dhënë shumë detaje për gjendjen e tij të rëndë. Ka shkëmbyer pak fjalë me të, e më pas është larguar drejt kabinës së tij. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia, fill pas këtij momenti Elezaj ka marrë armën që ndodhej në kasafortë dhe ka qëlluar veten me një plumb në zemër.
***
Sapo i ka kthyer shpinën kabinës ku qëndronte Bislim Elezaj, roja tjetër ka dëgjuar një krismë. I trembur është afruar për të parë se ç'kishte ndodhur, kur ka parë trupin e mbuluar me gjak të 48-vjeçarit, brenda në kabinë. Ai ka lajmëruar policinë, e cila mbërriti brenda pak minutash në vendin e ngjarjes. "Më tregoi se ishte i mërzitur por nuk më shkoi mendja se do të vriste veten sapo të largohej nga unë", -ka treguar para oficerëve të policisë roja. "Do të ndërhyja dhe nuk do ta lejoja të vriste veten, por ai më tregoi vetëm se ishte i mërzitur pa më thënë detaje dhe nuk e mendova se problemet e tij do të çonin deri te përdorimi i armës ndaj vetes",- ka shtuar dëshmitari në vendngjarje. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivin që detyroi Bislim Elezajn të vrasë veten. Burime nga policia thanë se janë marrë në pyetje familjarët e të ndjerit me qëllim zbardhjen e rrethanave të vetëvrasjes. Burime zyrtare nga policia thanë se kushtet e rënda ekonomike dyshohet të jenë shkaku që çuan 48-vjeçarin në vetëflijim. Babai i tre fëmijëve prej disa ditësh kishte shfaqur shenja deshpërimi, pasi nuk mund të përballonte më skamjen. Për t'i shpëtuar gjendjes së keqe ekonomike ai ka vrarë veten, duke lënë pas tre fëmijë jetimë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›