E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 4 vjecarja me HIV diskriminohet në kopësht

ELBASAN- Thellohet skandali i diskriminimit të vajzës 4 vjecare nga Belshi, mbartëse e virusit HIV. Përvec vështirësive që duhet të përballen me bashkëjetesën e sëmundjes, familja nga Belshi në Elbasan vazhdon të vuajë dhe diskriminimin nga shoqëria. Vajza mbartëse e kësaj sëmudjeje shkon në kopësht dhe prindërit e saj hasin cdo ditë presionin psikologjik të prindërve të tjerë që kërkojnë izolimin e 4 vjecares.
Vajza e infektuar me HIV/AIDS në pranverë të 2007-ës është njëra nga binjaket e Violetës, nënës e cila akuzon edukatoren lidhur me këtë situatë.
Konflikti që po zgjat prej ditësh ka shkuar deri në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë. Inspektorët e tyre janë takuar me palët por deri më tani nuk është dhënë asnjë zgjidhje.
Rasti është trajtuar një vit më parë në News24 dhe prej asaj kohe nuk është bërë asgjë, ndërsa këmbëngulja për të zbardhur rrethanat e infektimit të së miturës nuk kanë rreshtur nga familjarët.
Vogëlushja është infektuar ndërsa ishte shtruar në spitalin pediatrik të Elbasanit. Për këtë , nëna e saj hapi një proces gjyqësor ndaj mjekëve por e humbi cështjen.
Zanafilla e kësaj historie lindi nga zbulimi i një rasti me HIV/AIDS në ISHP të një studenteje e cila kishte dhënë gjak në spitalin e Elbasanit.
Pas analizave të bëra rezultoi se edhe njëra nga binjaket nga Belshi ishte infektuar me këtë virus.
Kjo solli dhe reagimin e Prokurorisë së rrethit që i premtoi familjarëve zbardhjen e ngjarjes dhe penalizimin e shkaktarëve.
Cështja mbi diskriminimin është diskutuar dhe në Parlament nga Komisioni Parlamentar Integrimit i cili shqyrtoi disa kohë më parë dhe projektligjin kundër diskriminimit propozuar nga një grup deputetësh të mazhorancës.
Në një mbledhje që zgjati vetëm pak minuta u ra parimisht dakord për miratimin e këtij drafti.
Lidhur me ngjarjen në fjalë diskutimi mbetet i hapur për shkak të presioneve psikologjike dhe diskriminimit të vazhdueshëm që po i bëhet 4 vjecares. 
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›