Elbasan; Denoncohet nga një vajzë, nën hetim 39-vjeçari
Akuzohet se ka rrëmbyer një vajzë me makinë, pa dëshirën e saj dhe pas denoncimit të bërë po ndiqet penalisht. Sipas policisë, në hetim është vënë një 39-vjeçar, Astrit Xh., me banim në fshatin Shtërmen të Elbasanit. Burime nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se çështja penale në ngarkim të 39-vjeçarit ka nisur, pasi me mjetin e tij me targa të huaja ka marrë vajzën 21-vjeçare E.T. pa dëshirën e saj dhe ka përshkruar rrugën nga Gramshi deri në Qerret. Kur ky shtetas ka menduar se vajza nuk mund të largohej, ka ndalur automjetin dhe ka dalë të bëjë një telefonatë. Në këtë moment, e frikësuar për çfarë mund ta presë nga 39-vjeçari dhe me dyshime, vajza ka përfituar për t’u larguar dhe më pas ka shkuar në polici ku edhe ka bërë denoncimin e saj. Pas denoncimit, policia ka nisur punën duke bërë shoqërimin e të akuzuarit dhe marrjen në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Tiranë
Shkëndija në bateri shkrumbon plotësisht automjetin
Një shkëndijë në bateri ka shkrumbuar një autoveturë në mes të kryqëzimit tek “21 dhjetori” në kryeqytet. Mjeti mori flakë ndërsa ecte në rrugë dhe menjëherë drejtuesi i saj dhe personat që ndodheshin në të kanë dalë jashtë duke u munduar të fikin zjarrin. Megjithatë, mjeti është djegur pothuajse plotësisht, pasi ka ndikuar edhe karburanti i shumtë që kishte në serbator. Djegia e makinës ka bërë që edhe trafiku të bllokohet për disa minuta, por ndërhyrja e policisë ka normalizuar situatën. Sipas të dhënave në këtë incident, nuk ka pasur të lënduar, ndërkohë që mjeti është larguar nga rruga nga ana e policisë.