E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, arrestohet inspektori, grabiti zyrën e regjistrimit të pasurive



Policia ka vënë në pranga 36-vjeçarin Bardhok Bardhi me detyrë inspektor i regjistrimit të pasurisë së paluajtshme

Policia e Lezhës ka arrestuar një inspektor të zyrës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, pasi akuzohet për grabitje. Bardhok Bardhi ishte njëkohësisht edhe arkëtari i kësaj zyre në Lezhë, gjë që e ka ndihmuar atë në realizimin e kësaj vjedhjeje. Sipas burimeve të policisë, 36-vjeçari është arrestuar për shkak të vjedhjeve të njëpasnjëshme që ai i kishte kryer shtetit. Bardhi arrinte që të përvetësonte shuma parash nëpërmjet manipulimit të faturave. Sipas policisë, kishte disa kohë që kishin lindur dyshime, të cilat kishin çuar në fillimin e hetimeve ndaj 36-vjeçarit. Kjo ka bërë që uniformat blu të organizojnë operacionin “Tapia e fundit”, ku kanë vënë në pranga Bardhin, punonjës pranë zyrës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Lezhë. 36-vjeçari akuzohet për “vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”.

Arrestimi

Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se është arrestuar në orët e para të ditës së djeshme 36-vjeçari Bardhok Bardhi. Arrestimi i 36-vjeçarit është bërë në banesën e tij në lagjen “ Besëlidhja” të Lezhës. Sipas policisë, krimi ekonomik i Drejtorisë së Policisë së Lezhës kishte nisur prej kohësh operacionin për arrestimin e tij, ku kishte më shumë se tre muaj që e mbante nën kontroll, duke kontrolluar të gjitha lëvizjet e tij si dhe ka vijuar edhe përgjimet telefonike, bëjnë të ditur burime të policisë së Lezhës. Të njëjtat burime saktësojnë se Bardhok Bardhi ishte me detyrën e ndihmës specialitetit në zyrën e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Lezhë, si dhe kryente detyrën e arkëtarit. Prej një viti, sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, vazhdonte të merrte paratë e arkëtuara të klientëve të kësaj zyre, por me shuma jo të mëdha. Kjo kishte bërë të mundur edhe mbajtjen të fshehur deri tani të kësaj vjedhjeje. Ndërkohë që drejtuesit e kësaj zyre kishin kohë që e kishin ngritur shqetësimin për humbjen e parave, por kjo në të shumtën e rasteve ishte mbuluar me anë të bakshisheve. Burime të policisë u shprehën se kanë qenë pikërisht punonjësit e kësaj zyre që kanë bërë denoncimin në polici e cila kishte vazhduar menjëherë operacionin për arrestimin e Bardhit dhe dokumentimin e plotë të vjedhjes. Sipas policisë, po shikohen edhe të gjitha blloqet e arkëtimit, pasi dyshohet se Bardhi kishte dy blloqe ku njërin e plotësonte në prani të klientëve dhe tjetrin shumë më të vogël, për derdhje parash e plotësonte pa praninë e tyre, si dhe mundësitë e abuzimit që ai ka pasur duke mbajtur dy detyra njëkohësisht

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›