E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, gjykata: Burg pa afat për dy drejtuesit e trafikut ilegal



Dashamir Mane dhe Hyqmet Sollaku kanë pranuar akuzën e ngritur

Në kërkim nga uniformat blu, edhe dy persona të tjerë për ngjarjen

Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për Dashamir Manen dhe Hyqmet Sollakun, dy prej personave përgjegjës për tragjedinë e Butrintit, në të cilën humbën jetën pesë persona. Të dy të pandehurit akuzohen nga drejtësia shqiptare për “dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen e më shumë se dy personave”. Vetë të arrestuarit e kanë pranuar akuzën e bërë nga prokuroria shqiptare. Mane ishte personi që drejtonte varkën mbrëmjen e së dielës, më 19 tetor, ndërsa Sollaku ishte njëri prej organizatorëve të këtij trafiku. Pas ndodhjes së tragjedisë, Policia e Shtetit shpalli në kërkim gjashtë persona, mes të cilëve edhe dy të sipërpërmendurit. Ata arritën që t’i fshiheshin policisë për disa ditë, por më pas, uniformat blu arritën të vënë në pranga Manen dhe Sollakun. 23-vjeçari u arrestua teksa po fshihej në një shtëpi, në fshatin e tij në Sarandë. Ndërsa 42-vjeçari u vu në pranga në Tiranë, në një banesë në lagjen “Kombinat”.

Personat e sipërpërmendur ishin pjesë e grupit drejtues të varkës me 24 persona e cila tentoi të kalonte ilegalisht për në Greqi, por u përmbys në kanalin e liqenit të Butrintit, Sarandë, duke sjellë edhe vdekjen e pesë personave. Polica e Shtetit ka arrestuar katër persona të akuzuar për këtë ngjarje, ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë. Uniformat blu po kërkojnë Brahim Madhin dhe Albert Gegën, të cilët janë pjesë e këtij trafiku që shkaktoi tragjedinë e Butrintit.

Para tri ditëve gjykata vendosi masën e sigurisë për Ahmet Bushin dhe Bashkim Senën, ndaj të cilëve rëndon akuza "vrasje e më shumë se dy personave" dhe "trafikim i qenieve njerëzore me qëllim përfitimi". Ndaj tyre fillimisht rëndonte vetëm akuza "trafik i qenieve njerëzore", por katër ditë pas ngjarjes së 19 tetorit, prokuroria ngriti ndaj tyre një tjetër akuzë, atë të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, të më shumë se dy personave.

Mbrëmjen e 19 tetorit, sipas policisë, një grup i përbërë prej 20-24 personash të imbarkuar në dy varka druri tentuan të kalojnë nga Butrinti në Xarrë dhe më pas në Konispol, me destinacion Greqinë. Pasi lundruan rreth 60 metra nga bregu, njëra nga barkat u përmbys, me pasojë mbytjen e Elvira Johos dhe vajzës së saj të mitur, nga Lapardhaja e Beratit. Në 21 tetor polumbarët gjetën trupat e personave të tjerë: Amarildo Kuka, 20 vjeç, nga fshati Kurjan i Fierit dhe Festim Hoxha, 27 vjeç nga fshati Vidhishtë i Fierit. Ndërsa vetëm dy ditë më pas u gjet edhe trupi i mbytur i 17-vjeçarit Ndriçim Myftari nga fshati Ishmë i Lushnjës. Tragjedia e Butrintit u mori jetën pesë personave dhe të akuzuar për këtë janë gjashtë vetë nga policia.

Ngjarja, pesë të vdekur nga përmbysja e varkës

Përmbysja e varkës në liqenin e Butrintit u kushtoi jetën pesë personave.

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e 19 tetorit rreth orës 20:00, gjatë përpjekjes së grupit prej 24 personash për të kaluar për në territorin grek. Sipas policisë, gjatë rrugës varka nuk ka mundur të mbajë peshën, të cilën ushtronin të 24 personat, duke bërë kështu që ajo të përmbysej. Kjo e ka kapur të papërgatitur edhe grupin e personave, të cilët e kanë parë veten në ujin e ftohtë të liqenit. Errësira e natës dhe befasia e kanë bërë të vështirë për viktimat që të arrinin të mbijetonin. Ndërkohë në breg kanë mundur të dalin pjesa më e madhe e njerëzve në barkë. Sipas të dhënave 24 personat që ndodheshin në varkë do të niseshin klandestinë për në Greqi, dhe si pasojë e kontrollit të policisë, kanë zgjedhur këtë rrugë të vështirë, në liqenin e Butrintit, për të kaluar.

Personat përgjegjës për tragjedinë e Butrintit

Të arrestuar

1. Dashamir Mane

2. Hyqmet Sollaku

3. Bashkim Sena

4. Ahmet Bushi.

Në kërkim

5. Brahim Madhi,

6. Albert Gega

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›