Racizmi ; Dhunë ndaj shqiptarit, 19-vjeçari në koma
“Do të vras, shqiptar i ndyrë!”. Kanë qenë këto fjalët e fundit që ka dëgjuar Stefan M., 19-vjeçari shqiptar, para se të binte në koma nga goditjet e dhunshme të një të riu racist italian. Ngjarja ka ndodhur në Xhenova, në një stacion hekurudhor, ku pas disa kërcënimeve, i riu shqiptar është qëlluar me mbajtësen e teleskopit nga një 25-vjeçar. Goditja ka qenë e fortë dhe e ka lënë atë pa ndjenja. Menjëherë ndaj Stefanit është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar atë në spital. Policia e Xhenovas ka arritur që të arrestojë agresorin. Italiani e kishte kërcënuar atë disa herë, gjë që kishte detyruar shqiptarin që të bënte edhe një denoncim. Por duket se diçka e tillë nuk ka qenë serioze për policinë italiane, e cila nuk ka marrë asnjë masë. Një masë që mund të kishte shmangur dhunën ndaj të riut 19-vjeçar, i cili tani gjendet në vështirësi për jetën, në koma.
Ngjarja
I riu shqiptar kishte 15 vite që jetonte në Itali. Megjithatë, edhe pse ai kishte kohë që ishte bërë pjesë e shtetit italian, është bërë viktimë e “urrejtjes raciste” të bashkëmoshatarit italian. Ngjarja ndodhi në stacionin hekurudhor të Cogoletos, në Xhenova të Italisë. Dy të rinjtë kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin, por duket se “gjakrat” janë nxehur edhe më, duke bërë që të dy të kenë një konfrontim fizik ndërmjet tyre. Sipas medias italiane, fillimisht dy të rinjtë janë grindur mes tyre, dhe më pas i riu italian ka goditur në kokë 19-vjeçarin me mbajtësen e hekurt të teleskopit. Gjatë goditjes ai ka bërtitur: “Shqiptar i ndyrë!”. Goditja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që shqiptari të mbetej pa ndjenja. Menjëherë miqtë e tij e kanë transportuar atë në spitalin e San Martinos në Xhenova. 19-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të vështirë, por gjendja e tij vazhdon që të jetë e rëndë për jetën. Bluzat e bardha të spitalit italian thonë se i riu shqiptar po mbahet në koma farmaceologjike në repartin e neurokirurgjisë.
Policia
Menjëherë pas sulmit të dhunshëm, karabinierët italianë kanë arritur që të vënë në pranga agresorin 25-vjeçar. Sipas policisë, ky ka qenë një sulm racist. Prokuroria e Xhenovës ka hapur një hetim në lidhje me këtë ngjarje, të drejtuar nga prokurorja Maura Macio. Hetuesit kanë mbledhur edhe dëshmitë e para në lidhje me këtë ngjarje. 25-vjeçari italian ishte një person “i njohur” nga karabinierët italianë. Kjo, pasi ai ishte skeduar nga policia për disa vepra të tjera penale. Megjithatë, vërehet një neglizhencë e policisë italiane. Kjo, pasi 19-vjeçari shqiptar kishte denoncuar më parë agresorin e tij, se e kishte kërcënuar. Sipas mediave italiane, agresori 25-vjeçar i kishte thënë të riut “do të të vras shqiptar i ndyrë” disa herë më parë. Edhe pse Stefani ka kërkuar ndihmën e policisë, ajo nuk ka ardhur, duke bërë kështu që ai të bëhet viktimë e sulmit racist. Tashmë, agresori është vënë në pranga, por nëse karabinierët italianë do të ishin treguar më “profesionistë”, atëherë 19-vjeçari shqiptar, Stefan M, nuk do të ishte në koma, në gjendje të rëndë për jetën.