E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Këshilli Bashkiak peng i bulevardit kryesor

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Çështja e bulevardit pranë kalasë do të mbajë peng dhe për ditë të tëra zgjidhjen e problemeve aktuale për qytetin e Elbasanit. Që prej 27 prillit, kur këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në formë presioni për lirimin e rrugës për mjetet, asnjë marrëveshje nuk është arritur mes tyre dhe të majtëve. Ky debat pritet që të sjellë dhe dështimin e mbledhjes së radhës, më 26 maj, ku veç ndihmës ekonomike nuk pritet shqyrtimi i asnjë dosjeje tjetër. Sipas burimeve nga Këshilli Bashkiak, mësohet se një problem që pret zgjidhje të shpejtë është dhe dhënia e ambienteve me qira për subjektet politike, në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. I pyetur për këtë çështje, një ndër iniciatorët e kërkesës drejtuar bashkisë për hapjen e bulevardit, deputeti i PD-së, Aurel Bylykbashi u shpreh se ky veprim duhet të kryhet urgjentisht. "Bashkia e Elbasanit duhet të hapë bulevardin në mënyrë absolute, pasi vetëm kështu do të heqë përgjegjësinë ligjore nga vetja e saj". Sipas Bylykbashit, e djathta është e hapur për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhjeje me kreun e bashkisë, Qazim Sejdinin, vetëm e vetëm që qytetarët të kenë mundësi të qarkullojnë me mjetet e tyre në këtë segment kyç për qarkullimin në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë, nga ana e bashkisë së qytetit për këtë çështje nuk ka reagim zyrtar. Prej burimeve të këtij institucioni mësohet se Këshilli i Bashkisë së Elbasanit do të mblidhet më 26 maj, për të miratuar vetëm ndihmën ekonomike dhe asnjë material tjetër nuk është përgatitur nga ana e drejtorive. Kjo, pas paralajmërimit se të djathtët e Këshillit Bashkiak nuk do të jenë prezent në mbledhjet ku do të diskutohet për vendime të tjera, pa u zgjidhur debati për rrugën. Gjithsesi, deri në datën 26 pritet një ndërhyrje e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje pozitive, me qëllim që këshilltarët të mund të miratojnë dhe vendime të tjera, të rëndësishme për qytetin. Nga ana e tij, kreu i Partisë Demokratike në Elbasan, Luçiano Boçi pohoi se vazhdon të mbështesë idenë e rrugëve ligjore dhe kurrsesi nuk mund të bëhet pjesë e nismave individuale apo joligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›