Avokatët dështojnë gjyqin e vrasjes së dy policëve
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda shtyu dje seancën në ngarkim të Afrim Hasanit, të akuzuar për vrasjen e dy policëve. Seanca, që duhet të ishte e para e këtij procesi, dyshoi pasi dy mbrojtësit ligjorë të të pandehurit nuk ishin të pranishëm në seancë. I pyetur nga gjykata për vijimin e gjyqit, Hasani, i cili ishte prezent në gjykatë, tha se donte avokat. Ngjarja për të cilën ndodhet pas hekurave të burgut Afrim Hasani ndodhi në fshatin Shënmri të Kukësit. Mbrëmjen e 23 marsit, ai qëlloi me një automatik kallashnikov në drejtim të dy punonjësve të policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, duke i lënë ata të vdekur në vend. Arrestimi i tij u bë i mundur disa orë pas ngjarjes në një banesë të braktisur në një nga pyjet e zonës. Sipas prokurorisë, vrasja e policëve u bë nga Hasani në formë hakmarrjeje, për shkak të një kallëzimi që efektivët e rendit kishin bërë për të. Pak ditë parapara ngjarjes, dy policët ishin konfrontuar fizikisht me Hasanin, teksa po kontrollin dokumentacion e automjetit ku ai po udhëtonte. "I pandehuri Afrim ka vendosur të hakmerret dhe me gjakftohtësi kriminale ka vrarë me armë zjarri, dy efektivat e policisë të cilët e kishin kallëzuar këtë person për ngjarjen e dt 16.03.2009. Ky ka qenë motivi real dhe i vetëm që ka shtyrë të pandehurin Afrim Hasani të kryente një ngjarje me pasoja kaq të rënda" thuhet në kërkesë për gjykim të prokurorisë. Mbi Hasanin rëndojnë akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", "shkatërrim të pronës", "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". ar.ba