Lirohet pronari i 92 kg heroinë
Armand Bajrami
Gjykata e Krimeve të Rënda liroi nga qelitë e burgut Rasim Shirën, biznesmenin dibran të akuzuar si trafikantin e 92 kilogramëve heroinë nga Turqia në Shqipëri. Një vendim i dhënë dje nga togat e zeza të kësaj gjykatë ndryshoi masën e sigurisë për Shirën, nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie". Shkak për këtë ishte kalimi i afateve ligjore të qëndrimit në ambientet e paraburgimit për biznesmenin. Vetëm pak muaj më parë dosja penale në ngarkim të Shirës u kthye për rigjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda nga Gjykata e Lartë, pasi ai ishte dënuar me 13 vjet burg nga shkallët më të ulëta. I cilësuar si një nga protagonistët e arrestimeve më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri, Rasim Shira qëndronte në qelitë e paraburgimit që prej janarit të vitit 2006. Në seancën e djeshme në ngarkim të tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, avokati mbrojtës pretendoi lirimin e klientit të tij. Sipas avokatit, klienti i tij i kishte përmbushur afatet e qëndrimit në paraburgim të parashikuara nga ligji dhe rrjedhimisht kërkoi ndryshimin e masës së tij të sigurisë. Pasi dëgjoi edhe pretendimin e organit të akuzës, gjykata vendosi ndryshimin e masës së sigurisë së Shirës nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie".
Gjykimi i Shirës
Bllokimi 92 kilogramëve heroinë në maunen e kompanisë shqiptare "Shira import-eksport" më 13 dhjetor të vitit 2003, në kufirin mes Turqisë dhe Bullgarisë do të ishte fillimi i "hesapeve" të Shirës me drejtësinë. Pas sekuestrimit të drogës dhe hetimeve në vijim nga autoritetet turke u dërguan me anë të letërporosive dëshmitë e tre punëtorëve që kishin ngarkuar maunen me konfeksione, dhe bashkë me to edhe sasinë narkotike. Pas marrjes së letërporosive, një urdhër arresti i Prokurorisë së Krimeve të Rënda prangosi Shirën. Ai ishte pronari i kompanisë, e cila merrej me transportin e konfeksioneve nga Turqia. Sipas organit të akuzës, Shira ishte organizatori dhe financuesi i rrjetit të trafikut nga Turqia në Shqipëri. Pas gjykimit në shkallën e parë në maj të vitit 2007, Gjykata për Krimet e Rënda e dënoi biznesmenin me 13 vjet heqje lirie për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. I njëjti vendim u la në fuqi më pas edhe nga Gjykatë e Apelit për Krimet e Rënda. Dërgimi i çështjes në Gjykatën e Lartë e ktheu çështjen edhe njëherë në shkallën e parë të gjyqësorit. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë i cilësoi jo të rregullta sjelljen e dëshmive të marra gjatë hetimeve paraprake në Turqi me anë të letër-porosive nga autoritetet e këtij vendi.
Dëshmitë
Tre personat e pyetur si dëshmitarë në Turqi duhet të ripyeten duke zbatuar procedurat. Ishte kjo "esenca" e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili e ktheu çështjen në rigjykim në shkallën e parë të gjyqësorit.
Trafiku
Sinjalizimet për një linjë trafiku mes Turqisë dhe Shqipërisë çuan policinë turke në 2003 në bllokimin e maunës në pronësi të Shirës. Droga ishte vendosur në maune në 174 pako me letër natribani. Pas peshimit rezultoi se bëhej fjalë për 92 kilogramë heroinë të pastër.