E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen autorët e vjedhjes së tri kishave

 

KAVAJE - Arrestimi në flagrancë i dy personave që po vidhnin bagëti në Kavajë, ka zbardhur edhe vjedhjen e tri kishave dhe disa objekteve të tjera në kohë dhe vende të ndryshme. Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Tiranës mësohet se janë arrestuar Gëzim Ymeri, 36 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për vjedhje dhe Totila Koçi, 31 vjeç, nga Elbasani, i dënuar më parë për pjesëmarrje në banda të armatosura. Ata janë ndaluar dje rreth orës 11:30, nga shërbimet e policisë së Komisariatit të Kavajës. Pas hetimeve të bëra nga oficerët e policisë, ka rezultuar se Gëzim Ymeri ishte person i shpallur në kërkim për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Menjëherë pas tij është zbuluar edhe bashkëpunëtori tjetër, i cili ka marrë pjesë në disa vjedhje që dyshohet se janë realizuar prej tyre. Pasi javë verifikuar të gjitha provat, dëshmitë e personave të dëmtuar dhe të vetë autorëve, ka rezultuar se dy të arrestuarit dyshohet të jenë autorë të disa vjedhjeve në Devoll, Lushnjë, Elbasan, Kavajë dhe Librazhd. Sipas burimeve nga policia mësohet se Ymeri dhe Koçi dyshohet se kanë vjedhur objekte të ndryshme, si ikona, shandanë, tapetë, etj, në institucione fetare. Konkretisht ata kanë vjedhur Kishën e Shën Thanasit në Elbasan, kishën e Komunës Kryevith të Kavajës dhe kishën e Divjakës, në Lushnjë. Gjithashtu ata dyshohet se janë autorë të vjedhjes së dhjetëra bagëtive në fshatrat e Devollit, Kavajës dhe Lushnjës. Përveç këtyre ngjarjeve, që tashmë sipas policisë ka prova të mjaftueshme që provojnë autorësinë e dy të arrestuarve, një grup hetimor është ngritur për të verifikuar edhe ngjarje të tjera të ngjashme, të cilat kanë ndodhur në vende të ndryshme, kryesisht të Shqipërisë së Mesme dhe kanë mbetur pa autor. Policia tha se arrestimi i të dyshuarve është bërë dje rreth orës 11:30, teksa ata po kryenin vjedhjen e disa bagëtive. Më pas verifikimi i gjurmëve të gishtave dhe pyetja e dëshmitarëve ka zbuluar implikimin e të dyshuarve në disa krime të tjera kundër pronës, përfshi këtu edhe kishat e dëmtuara. Policia tha se pas kryerjes së veprimeve procedurale materialet do t`i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale të "vjedhjes" kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›