Një infermiere në kërkim për dy raste "mitmarrje"
Korrupsioni i mjekëve,
Prokuroria ka siguruar si prova pamjet filmike dhe regjistrime zanore, kur infermieret kërkojnë rryshfet për viztat
Në disa raste infermieret dhe mjekët nuk kërkonin para, por zvarrisnin vizitat për të nxitur pacientët për të paguar
TIRANË- Zyra e Task-Force- s pranë prokurorisë së kryeqytetit, dy ditë pas arrestimit të tre mjekëve dhe dy infermierëve të maternitetit "Koço Gliozheni", zbardh disa nga hetimet shtatë mujore të kryera për llogari të kësaj dosjeje penale.
Njëkohësisht ajo ka urdhëruar shpalljen në kërkim të një infermiereje tjetër që dyshohet se ka qenë pjesë e "grupit" të ndaluar. Burimet pohojnë se për momentin ajo ndodhet jashtë territorit të shtetit shqiptar.
Një fakt i tillë, konfirmohet nga burime të Prokurorisë që thanë dje se "Përveç pesë të arrestuarve që me vendim Gjykate janë izoluar në banesat e tyre me masën e sigurisë "arrest shtëpie", policia është urdhëruar të shpallë në kërkim edhe një infermiere tjetër, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, por që rezulton se ka bashkëpunuar me të arrestuarit e tjerë për të "zhvatur" pacientët hallexhinj".
Pritet që efektivët e policisë, menjëherë sapo infermierja e shpallur në kërkim do të hyjë në territorin shqiptar, do t'i komunikojnë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, të "arrest shtëpie" deri në përfundim të hetimeve.
Sipas akuzës, arrestimi i shefit të klinikës obstetrike pranë maternitetit "Koço Gliozheni" gjinekologut Petrit Rexhepi, mjekut reanimator Dritan Xhangolli, mjekut anestezist Lefter Mano, dy infermiereve mami Hyre Reçi dhe Nilka Perhati dhe infermieres së shpallur në kërkim, ka ardhur pas kallëzimit të dy grave që tashmë kanë lindur pranë këtij materniteti.
"Hetimet ndaj të dyshuarve kanë filluar që nga mesi i muajt shkurt të këtij viti, kur një femër e cila ishte shtatzënë ka kallëzuar në polici "ryshfetet" që i kërkonin mamitë mjekët dhe infermierët për shërbimin dhe vizitat që kryente. Pas marrjes së kallëzimit, kanë filluar hetimet duke regjistruar procedimin penal.
Më pas këtij procedimi i është bashkangjitur edhe një kallëzuese tjetër, që është ankuar për të njëjtin, shqetësim. Gratë janë ndjekur në vazhdimësi nga agjentët e vëzhgimit në terren, gjatë veprimeve të tyre në maternitet.
Agjentët, kanë siguruar pamje filmike dhe zanore të infermiereve duke i kërkuar lekë për shërbimin që kryenin. Në disa raste të vizitave të tyre, të dyshuarit nuk i kërkonin lekë, por, zvarritja e kryerjes së vizitës linte të kuptonte se duhej të paguanin që të merrnin shërbimin",- thuhet nga prokuroria.
Sipas tyre, tarifat që pacientët duhet të paguanin për çdo vizitë dhe lindje varionin nga 5 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë po të reja.
"Të dy rastet e ndjekura nga prokuroria, tashmë kanë lindur dhe fëmijët janë shëndoshë e mirë, edhe pse njëra prej lindjeve është kryer me operacion. Për të gjitha vizitat e këtyre nënave para lindjeve dhe pas lindjeve janë të filmuara, ku infermieret kërkonin para për vete dhe për mjekët",-thanë burimet e akuzës.
Sipas po këtyre burimeve, tre nga të dyshuarit janë të përfshirë në të dy rastet, ndërsa tre të tjerët vetëm në njërin rast të abuzimit me detyrën.
Të akuzuarit:
Nuk kemi marrë para, na i kanë dhënë me dëshirë
Gjithashtu, mësohet se gjatë marrjes në pyetje asnjëri nga të dyshuarit nuk ka pranuar të japë detaje për prokurorinë pa praninë e avokatit, duke mjaftuar vetëm me fjalët "pacientëve apo familjarëve të tyre në asnjë rast nuk i janë kërkuar lekë apo vendosur ndonjë kusht për të marrë lekë.
Ata na kanë dhuruar me dëshirën e tyre, si para apo pas vizitave, lindjes natyrale apo lindjes me operacion",-kanë thënë thuajse një zëri të arrestuarit.
Ndërkohë, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të dyshuarit janë pezulluar nga puna dhe është urdhëruar mos ushtrimi i profesionit të tyre deri në një vendim të dytë të gjykatës.
Gjithashtu, është konfirmuar se në ditët në vazhdim do të kërkohet verifikimi i pasurisë së tyre, në Hipoteka apo në llogarit bankare të filialeve të bankave në vend.
Ndaj tyre, mësohet se janë ngritur akuzat e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim, pasi kanë përfituar shuma të ndryshme parash nga pacientët dhe familjarët e tyre kundrejt vizitave që këta të fundit kryenin.
Të arrestuarit
Petrit Rexhepi, 56 vjeç, nga Tirana, i pa proceduar, mjek gjinekolog,
Shefi i Klinikës Obstetrike, pranë maternitetit "Kiço Glozheni" në Tiranë
Dritan Xhangolli, 38 vjeç, nga Tirana, i pa dënuar, mjek reanimator, në maternitetin "Kiço Glozheni"
Lefter Mano, 53 vjeç, banues në Tiranë, mjek anestezist
Hyre Reçi, 54 vjeç, banuese në Tiranë, infermiere- mami,
Nilka Perhati, 57 vjeçe, nga Tirana, infermiere- mami.