Bashkëjetesë me grua tjetër, dhunë bashkëshortes për ta larguar
Vendos të ndajë gruan dhe të marrë një tjetër me dy fëmijët e saj në banesë. Por, më përpara duhej të ikte gruaja që kishte në shtëpi dhe për ta arritur këtë, vendosi përdorimin e dhunës. Dy denoncime mbërritën në policinë e Kavajës, njëra nga burri i braktisur nga gruaja, tjetri nga gruaja që burri e detyronte të largohej nga shtëpia e saj për t’i lënë vendin tjetrës. Teksa përpiqej t’i jepte udhë denoncimit të parë dhe të gjente gruan e denoncuesit, merr një tjetër denoncim, një grua po dhunohej nga i shoqi, i cili po e detyronte të largohej nga shtëpia. Sapo kontaktojnë gruan e dhunuar dhe e marrin në mbrojtje, policisë i rezulton se mes dy ngjarjeve kishte lidhje. Burri dhunoi gruan dhe donte ta përzinte, pasi donte të merrte në banesë një tjetër grua, me dy fëmijët e saj, konkretisht gruan që denoncoi burri se kishte braktisur shtëpinë.
Denoncimet
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur një 33-vjeçar nga fshati Vorozen i Kavajës ishte kthyer në banesë, por nuk kishte gjetur si zakonisht gruan dhe dy fëmijët e tij. Kjo e ka detyruar atë që të shkojë menjëherë në polici dhe të kryejë denoncimin për humbjen e familjarëve të tij. Sipas burimeve zyrtare, denoncimi është kryer nga R.M., nga Vorozeni i Komunës së Luzit të Vogël të Kavajës. Ai u ishte shprehur agjentëve se nuk e dinte ku ishin gruaja dhe dy fëmijët e tij dhe kërkonte ndihmën e tyre për t’i gjetur. Menjëherë uniformat blu kanë nisur nga puna për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nga hetimet e kryera u arrit që të gjendeshin se ku qëndronin gruaja e 33-vjeçarit, shtetasja M.M. dhe dy fëmijët e saj, djali 8 vjeç dhe vajza 14 vjeçe. Sipas policisë, ata qëndronin në një banesë në qytetin e Kavajës. Sipas burimeve nga policia, 33-vjeçarja kishte vendosur që të bashkëjetonte me 43-vjeçarin me inicialet V.C. Ndërsa policia po i kërkonte të resë që së bashku me fëmijët të rikthehej tek bashkëshorti i saj, i cili e kishte deklaruar si të humbur, kjo e fundit ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë dhe se ajo kishte zgjedhur me dëshirën e saj që të banonte me 43-vjeçarin. Nisur nga kjo, punonjësit e policisë kanë përfunduar punën e tyre. Ndërkohë që pak orë më pas, ata janë rikthyer sërish në të njëjtën banesë. Por, këtë radhë është gruaja e 43-vjeçarit V.C. që kishte telefonuar dhe kishte kërkuar ndihmën e uniformave blu. Ajo kishte kërkuar ardhjen e policisë pasi dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit, me një person të ri për të bashkëjetuar, i kishte bërë presion M.C., që të largohej nga shtëpia, pasi ai nuk dëshironte të jetonte më me të. Mospranimi i saj, duket se ka çuar në reagimin e ashpër të 43-vjeçarit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shmangur përplasjen e mëtejshme midis tyre. Ndërkohë që çifti nga fsahti Vorrozen i Kavajës i është drejtuar dyerve të gjykatës së rrethit për të zgjidhur çështjen e tyre nga ana juridike. Nga ana tjetër, uniformat blu i dhanë mbrojtjen 43-vjeçares, së cilës iu ushtrua dhunë fizike e psikologjike nga burri i saj. Nisur nga kjo, policia ka plotësuar një kërkesë padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes, për “dhunën në familje”, ndaj 43-vjeçares me inicialet M.C.