E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trashëgimtari”, nën hetim për korrupsion pesë mjekë e infermiere



“Trashëgimtarët” çojnë në pranga pritësit e tyre. Pas një hetimi 8-mujor, policia e Tiranës ka arrestuar tre doktorë dhe dy infermiere të maternitetit “Koço Glozheni”, të cilët akuzohen se kanë përfituar para gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Pas një hetimi disamujor, sipas burimeve zyrtare policore, agjentët organizuan operacionin “Trashëgimtari” ku ndaluan mjekët Petrit Rexhepi, 56 vjeç, Dritan Xhangolli 38 vjeç, Lefter Mano, 53 vjeç, si dhe infermieret Hyre Reçi, 54 vjeçe dhe Nilka Perhati, 57 vjeçe, të punësuara pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë. Gjykata e Tiranës vendosi për ta në mungesë masën “arrest në shtëpi”, të akuzuar për konsumim të veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimi

Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me zyrën e Task-Forcës nisën një hetim, i cili zgjati rreth tetë muaj. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se gjatë këtyre muajve të akuzuarit kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion), për disa shtetase. Të ndaluarit akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprave penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Operacioni

Specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfunduan me sukses ditën e djeshme operacionin policor të koduar “Trashëgimtari”, ku vunë në pranga pesë persona. Vendimet e gjykatës për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar. Policia ekzekutoi vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” për tre mjekët dhe dy infermierët e ndaluara. Sipas burimeve zyrtare, të ndaluarit janë 56-vjeçari Petrit Rexhepi, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar, me profesion mjek gjinekolog, Dritan Xhangolli, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i padënuar, me profesion dhe i punësuar mjek reaminator dhe Lefter Mano, 53 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion anestezist, të tre të punësuar pranë Qendrës Spitalore Gjinekologjike “Koço Glozheni” në Tiranë. Gjithashtu, nën hetim janë edhe dy infermiere mami, Hyre Reçi, 54 vjeçe, lindur në Pukë e banuese në Tiranë dhe 57-vjeçarja Nilka Perhati, lindur e banuese në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›