E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, aksion për heqjen e reklamave nëpër qytet

Zyrtarët e Bashkisë së Elbasanit thonë se ky institucion këtë vit ka mbledhur 40 milionë lekë më pak sesa parashikimi, për shkak se shumë firma nuk kanë paguar taksën vjetore.

Sipas nënkryetari të Bashkisë, Serafin Papa, gjatë muajit korrik janë ngritur tre grupe pune, të cilët po punojnë për të grumbulluar taksat dhe tatimet, të cilat janë të nevojshme për shërbimet, si: gjelbërimi, pastrimi, ndriçimi, etj.
    
"Grupi i parë po merret me heqjen e të gjitha reklamave pa ‘pronar’, pasi ata nuk evidentohen për të mos paguar taksën e reklamës, ndërsa grupi i dytë me grumbullimin e tarifave të ndërtimeve të reja në Elbasan, siç janë ato të hedhjes së inerteve, përdorimit të mjeteve të rënda gjatë ndërtimeve, etj", thekson Papa, duke shtuar se aksioni i tretë po merret me kontrollin e taksave të ndriçimit dhe pastrimit tek firmat juridike.
    
Në rastin e fundit, vijon Papa, nëse këto taksa nuk paguhen deri më datë 20 korrik, atëherë ndaj këtyre firmave do të marren masa duke mos lejuar aktivitetin e tyre në Elbasan.
     
"Deri më tani janë kontaktuar rreth 15 firma ndërtuese, të cilat kanë filluar ta paguajnë këtë taksë dhe në rast se kompanitë nuk i paguajnë ato brenda afatit të caktuar, do të merren masa deri në bllokim të punimeve", thotë Papa.
     
Bashkia e Elbasanit do të nisë më vonë edhe aksionin me bizneset, të cilat nuk kanë paguar taksat për vitin 2011. /Start/

                                                                                             2011-07-15 14:22
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›