E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, ambulanca përplaset me automjetin, 4 të plagosur

Ishin nisur me urgjencë drejt spitalit të Tiranës, aksidentohen rrugës. Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik në Elbasan. Ngjarja është shënuar pasditen e sotme, në Unazën e këtij qyteti, ku një ambulancë me targa PG 4576 është përplasur me një automjet me targa AA 639 DD dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur katër persona, përkatësisht shoferi i auto-ambulancës, një grua dhe një fëmijë, të cilet ndodheshin në mjetin e transportit të spitalit.

Sipas policies autoambulanca e aksidentuar po transportonte fëmijën drejt spitalit të Tiranës pasi ishte i sëmurë rëndë, ndërsa shoqërohej nga e ëma, gjyshja dhe një doktoreshë. Por si për ironi të fatit janë bërë pjesë e një aksidenti, që e ka përkeqësuar dhe më tej situatën. Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore, ndërsa raportohet se fëmija ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pas aksidentit. Uniformat blu, të mbërritura në vendngjarje po hetojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›