E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësia e madhe, vdes në aksident gardisti

Po dje, në një fshat të Fierit ka humbur jetën në aksident një fëmijë 12 vjeç dhe është plagosur një tjetër

FIER Një 32-vjeçar i quajtur Artur Velaj, ka gjetur vdekjen duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Volsvagen” në aksin rrugor Fier- Lushnjë. Ngjarja është regjistruar në orët e pasdites së të shtunës. 32-vjeçari që mësohet se ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, është përplasur me një pjesë anësore të këtij aksi dhe ka përfunduar jashtë rruge në vendin e quajtur ‘Gorre’. Përplasja ka qenë e fortë. Si pasojë, ai ka marrë plagë të shumta në trup. Kalimtarë të rastit që kanë parë këtë skenë ngjarjeje i kanë dhënë atij ndihmën e parë. Në gjendje të rëndë, i plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit të Lushnjës. Por pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ka ndërruar jetë në këtë spital. Policia është shprehur paraprakisht se shkak i aksidentit është shpejtësia e madhe dhe dalja jashtë kontrollit të automjetit. Po dje, një fëmijë 12-vjeçar ka vdekur, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë në një aksident automobilistik. Ngjarja e rëndë ndodhi në një nga akset rrugore rurale që lidh fshatin Frakull e Vogël, komuna Frakull, me fshatin Vjosë, komuna Cakran në rrethin e Fierit. Viktima është Qemal Isufi nga fshati Vjosë, ndërsa i plagosuri është bashkëmoshatari i tij, Klodian Xhemaj, po nga ky fshat. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00. Ata janë goditur nga një automjet tip “Benz” me targa FR 92 12 B, që drejtohej nga Ervin Hila, banor i fshatit Peshtan në rrethin në fjalë. Sipas dëshmitarëve, fëmijët kanë qenë duke kaluar në rrugë kur janë goditur nga mjeti. Drejtuesi është përpjekur të frenojë automjetin, por rruga me çakëll dhe shpejtësia e drejtimit të mjetit kanë sjellë edhe goditjen. Rreth një orë kanë pritur njerëzit e grumbulluar në vendngjarje për mbërritjen e policisë. Ndërsa fëmija i plagosur është dërguar urgjentisht në spitalin e Fierit, ku edhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje mjekësore. Sipas bluzave të bardha, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit Hila. Ky është aksidenti i radhës me pasojë vdekjen e personave në Fier. Numri i aksidenteve në këtë qark është i lartë. Deri në fund të muajit shtator numërohen rreth 12 shtetas të vdekur, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë plagosur në aksidente të ndryshme rrugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›