Elbasan, bllokohen pesë kg heroinë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA Bllokohen 5 kg heroinë që vinte nga Maqedonia. Një super aksion i kryer nga ana e Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe asaj të qarkut në Elbasan ka çuar në arrestimin e dy personave të skeduar dhe më parë nga ana e policisë lokale: Klevis Baxho, 31 vjeç dhe Arjan Tetova, 42 vjeç. Rezultati i këtij operacioni të koduar me nofkën "Dhurata" ka sekuestruar 5 kilogramë heroinë, e cila pak orë më parë kishte hyrë nga pika kufitare e Qafë-Thanës. Droga është gjetur në makinën me targa të huaja BA 433 LL, e cila po lëvizte në unazën e qytetit të Elbasanit. Një numër i madh policësh i kanë kërkuar ndalimin dhe menjëherë kanë bërë rrethimin e makinës. Ata mësohet se kishin informacion për transportin e drogës, duke nisur menjëherë kontrollin brenda mjetit. Brenda makinës, në pjesën e bagazhit u gjet një sasi prej 2 kilogramë e 78 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Operacioni ka vazhduar dhe me kontrollin e banesave të të arrestuarve e pikërisht në banesën e 31-vjeçarit Klevis Baxho u gjetën dhe u bllokuan 2 kilogramë e 27.6 gramë pluhur ngjyrë e kuqërremtë e dyshuar për lëndë narkotike heroinë, një pistoletë me 8 fishekë, si dhe 130 mijë lekë të reja. Ndërkohë që në banesën e të arrestuarit tjetër Arjan Tetova u gjetën dhe u sekuestruan edhe 12 mijë e 950 euro. Nga burime të policisë në Elbasan mësohet se heroina kishte ardhur nga Maqedonia dhe Shqipëria do të përdorej si vend transit për të transportuar drogën drejt vendeve evropiane. Gjithsesi nuk mohohet fakti se ajo mund të ketë qenë e destinuar për tregun vendas dhe më konkretisht për atë të Shqipërisë së mesme. Burime zyrtare kanë pohuar dje për gazetën se dy shtetasit nga Elbasanit, të arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm kishin afro 3 muaj që mbaheshin nën vëzhgim nga ana e oficerëve të Policisë së Shtetit, derisa u bë e mundur kapja e tyre me presh në duar. Makina e dy banorëve të Elbasanit është mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë gjithë rrugës nga Qafë Thana deri në unazën jugore të Elbasanit aty ku është bërë dhe arrestimi i Klevis Baxhos dhe Arjan Tetovës. Ndaj dy të arrestuarve rëndon akuza e trafikut ndërkombëtarë të lëndëve narkotike, si dhe akuza armëmbajtje pa leje. Të gjitha hetimet paraprake janë kryer nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjithashtu, pritet që hetime të kryejnë dhe Prokuroria e Elbasanit, e cila mund të zbardhë lidhjet e dy të arrestuarve që mund të kenë në këtë qytet. Gjatë dy muajve të fundit, në qytetin e Elbasanit janë zbuluar dhe arrestuar disa persona, me akuzën e transportit të drogës, kryesisht heroinë. Në fillim të këtij muaji ishin disa të rinj nga Fieri, të cilët u bllokuan në mes të qytetit, pasi në makinën e tyre kishin fshehur lëndën narkotike. Nuk dihet nëse këto raste kanë lidhje me sasinë e madhe të heroinës së bllokuar ditën e djeshme. çfarë konfirmohet është fakti se policia ka pasur dijeni për lëvizjen e drogës, duke mos e bllokuar atë më parë, por vetëm kur makina e dy personave arriti në pjesën e unazës së Elbasanit.