E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtari i vetëvrarë, 5 ditë në depresion

 BERAT - Vetëvrasja e tregtarit beratas Gramoz Spahiu pasditen e së shtunës në Lushnjë ka tronditur familjarët e tij. Megjithëse vetë 40-vjeçari ka lënë një letër, ku thotë se po vdes për të mos lënë hasmëri pas, ka hedhur më shumë dilemën mbi motivin e vetëflijimit. Në qytetin e Beratit mësohet se Spahiu jetonte në lagjen "Donika Kastrioti", ndërsa priste që bashkë me familjen të shpërngulej për në qytetin e Durrësit. Në lagjen "30 vjetori" të qytetit ai kishte në pronësi një minimarket, të cilin tentonte ta shiste për t'u larguar përfundimisht drejt qytetit bregdetar. Por, prania e një lapidari në kujtim të një djali të vrarë në vitin 1995, duket se ishte bërë shkak për të mos u shitur, ndonëse kishte shumë kërkesa. Mësohet se pronari i minimarketit i kishte kërkuar familjes së djalit që ta hiqte këtë lapidar, por familjarët dhe shoqëria e viktimës nuk kishin rënë dakord. Burime nga policia e Beratit pohojnë se nuk është gjetur gjuha e përbashkët dhe mendohet se kjo u bë shkak që ai ditët e fundit të binte në depresion. Pas rreth 5 ditësh nga debati ai është larguar nga shtëpia pa adresë, derisa u mësua lajmi i vetëvrasjes së tij në Savër të Lushnjës. Lapidari ngjitur me dyqanin e Spahiut është ngritur pak kohë pas vrasjes së 20-vjeçarit Klodian Mema, në vitin 1995. Mësohet se i riu kishte ndërhyrë për të shuar një sherr mes disa personave, por fatkeqësisht një person e ka qëlluar me thikë duke i marrë jetën. Pas kësaj ngjarje, në kujtim të 20-vjeçarit, u ndërtua në vendin e krimit një lapidar i vogël, me mbishkrimin: "Nga shoqëria". Pasi kanë kaluar 14 vjet, pronari i minimarketit ka kërkuar heqjen e përkujtimores, si kusht të vendosur nga personat që donin t'ia blinin dyqanin. Duket se pengu për të mos e shitur dyqanin dhe për t'u larguar përfundimisht nga Berati mund të ketë shkaktuar depresion tek ai. Megjithatë, çështja është akoma në hetim dhe pritet që ditët e mëvonshme të zbardhen dhe detajet e ngjarjes së rëndë.                    d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›