E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat dhe vendimet e BE-së gjatë 2009-s

Për Bashkimin Europian, viti 2009 ka qenë një rrugë e gjatë me vendime dhe konflikte të brendshme dhe të jashtme. Tema kryesore që iu paraqit Unionit ishte rruga e vështirë drejt marrëveshjes së Lisbonës. Disa herë ajo ishte në rrezik të dështonte. Në fund kjo marrëveshje varej vetëm nga presidenti çek, Vaclav Klaus, një kundërshtar i betuar i marrëveshjes. Më në fund marrëveshja u nënshkrua dhe mundi të hyjë në fuqi me 1 dhjetor. Një tjetër ngjarje ishte konflikti i brendshëm në lidhje me një mandat të dytë për kryetarin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroson. Pas debatesh të shumta, Parlamenti e aprovoi Barroson, por në radhë të parë qëllimi i deputetëve kishte qenë, që t’i rezistonin Këshillit të Kryetarëve të Shteteve. Një tjetër çështje e rëndësishme ishte zgjerimi i BE-së me anëtarë të rinj. Meqënëse nuk ishte sqaruar ende çështja e Lisbonës, shumica e vendeve anëtare nuk pranonin të përfshiheshin shtete të reja përveç Kroacisë. Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt u shpreh për pranimin e vendeve të Ballkanit dhe të Turqisë, duke vlerësuar se synonte një Europë, që përfshin të gjithë Europën. Sapo u sigurua reforma e BE-së me marrëveshjen e Lisbonës, Ministrat e Brendshëm të BE-së vendosën që qytetarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të udhëtojnë duke filluar nga 19 dhjetori pa viza në zonën e Shengenit. Me seriozitet u konsiderua mbrojtja e klimës dhe konferenca e Kopenhagës, e cila mori mbështetje nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. NATO-ja tashmë ka një Sekretar të ri të Përgjithshëm, danezin Anders Fogh Rasmusen. Në aleancë ndodhën disa ndryshime nga ndërrimi i drejtimit në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit. Rasmuseni e vlerësoi pozitivisht faktin, që presidenti i SHBA-së, Barack Obama, nuk e vazhdoi në të njëjtën formë planin e paraardhësit të tij Bush për sistemin e mbrojtjes kundër raketave që do të instalohej në Poloni dhe Çeki. Një problem i madh për NATO-në këtë vit ka qenë Afganistani dhe konflikti me qeverinë e këtij vendi.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›