E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet ekzekutori i emigrantit

 FIER/ MAJLINDA RAMAVetëm pas arrestimit të njërit prej autorëve të vrasjes së të riut Leonard Hazizaj dhe prokuroria duket se po shkon drejt qartësimit të plotë të dinamikës së ngjarjes. Adoleshenti Miço Osmani, 18 vjeç, i arrestuar si autor i kësaj vepre penale ka arritur të pranojë se ka qenë në krye të këtij plani dhe gjithçka ka treguar ka qenë peng marrje për grabitje. "Ishim të varfër dhe donim lekë. Nuk kishim me se të ushqeheshim. E kishim vendosur që do të ndalonim këdo që do të na dilte në atë rrugë", kështu mësohet të ketë thënë për organet hetimore i arrestuari. Sipas burimeve konfidenciale nga organi i akuzës mësohet se të rinjtë kishin zënë pritë në aksin rrugor Levan-Frakull. Të tre të armatosur, djemtë i kanë kërkuar viktimës të zbresë nga makina. Siç ka pohuar Osmani, Leonardi nuk ka hezituar të zbresë nga makina. Atij i është kërkuar të parkonte makinën në një xhep të rrugës dhe më pas ka bërë ashtu sikurse e kanë urdhëruar grabitësit. Fare të qetë, djemtë i kanë kërkuar atij të ecë në një rrugicë ku nga pas e ndiqnin të tre me armën drejtuar. Gjatë rrugës viktima u ka kërkuar ta lënë të qetë, pasi ai ishte nisur për tek disa miq, por pengmarrësit kanë këmbëngulur për ta larguar nga vendi i dukshëm, duke e futur tek tuneli që ishte disa metra larg rrugës Levan-Frakulll, një vend i rrethuar nga shkurre. Aty ata i kanë kërkuar lekët dhe gjithçka mbante me vete. Leonardi u kishte thënë se nuk kishte marrë shumë lekë me vete, pasi rruga që ai do të bënte ishte e shkurtër, ndërsa u kërkonte pengmarrësve ta linin të lirë. Leonardi ka tentuar në moment të manovrojë për të tërhequr vëmendjen, por pengmarrësit nuk e kanë lejuar duke qëlluar me shkelma dhe grushte, ndërsa kanë arritur t'i marrin nga xhepat të gjitha lekët që kishte në një portofol. Shuma e tyre ende nuk bëhet e ditur dhe ende nuk është gjetur as portofoli, lekët dhe dokumentet që viktima ka pasur. Mënyra se si e kanë trajtuar viktimën e kishte bërë këtë të fundit të humbiste durimin duke u thënë grabitëseve se duke vjedhur nuk kishin për të ecur asnjë hap në jetë dhe se shumë shpejt ai do t'i çonte në polici. Kaq është dashur që grabitësit pas torturave që mendohet të ketë zgjatur për rreth 1 orë, të vendosin ta ekzekutojnë. Adoleshentët pasi kanë bërë vrasjen janë larguar nga tuneli, ndërsa për të humbur gjurmët nuk kanë mundur t'i afrohen automjetit të viktimës. Ndërkohë që sipas disa të dhënave nga brenda prokurorisë, të rinjtë nuk kanë pasur si synim ta vrisnin të riun, por vetëm t'i merrnin lekët duke e menduar se sapo po kthehej nga Greqia. Fakti që ai i ka kërcënuar se do t'i çonte në polici i ka trembur të rinjtë duke i detyruar të kryejnë vrasjen për humbjen e gjurmëve të vjedhjes. Aktualisht nga grupet hetimore po punohet për të gjetur armën e krimit si dhe dy bashkëpunëtorët e Osmanit. Mbi këtë të fundit dhe dy bashkëpunëtorët e tij rëndojnë disa akuza " vrasje me dashje e paramenduar "grabitje me armë" dhe "armëmbajtje pa leje". Nga blutë po kërkohet në çdo banesë të Levanit, ndërsa sipas të dhënave duket se janë fare pranë arrestimit të dy të tjerëve. Kanë qenë orët e pasdites së të enjtes ato që kanë sjellë fatin e keq të të riut nga qyteti i Fierit, cili pas orës 16.30 ishte nisur nga shtëpia e tij për të shkuar në Frakull tek e fejuara. Ka qenë kjo arsyeja që edhe familjarët e tij nuk janë shqetësuar për largimin prej dy ditësh nga shtëpia, pasi mendohet që ai mund të ishte tek e fejuara ende. Ndërkohë 32-vjeçari është shoqëruar për në banesën e fundit nga familjarë dhe të afërm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›