E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, dështon sulmi i Al Kaidës për shpërthimin e një avioni

Blerina Olldashi
Një atentat ka dështuar në Detroid të Shtetet e Bashkuara, kur një nigerian tentoi të hidhte në erë një avion të mbushur me pasagjerë. Incidenti ndodhi kur avioni i shoqërisë amerikane të fluturimeve “Northwest” do të ulej në Detroit dhe ishte nisur nga Amsterdami. Burime zyrtare amerikane pohojnë se i riu nigerian vepronte në emër të Al Kaidës, ishte udhëzuar të hidhte në erë, në territorin amerikan, aeroplanin e linjës Amsterdam-Detroit. Sulmi terrorist duket se dështoi në sajë të veprimit të shpejtë të udhëtarëve të tjerë. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një komplot terrorist në ditën e Krishtlindjeve. Dëshmitarët thonë se i dyshuari u bllokua nga pasagjerët e tjerë, ndërsa përpiqej t’i vinte flakën një materiali shpërthyes. Incidenti ndodhi në kohën kur aeroplani i afrohej Detroitit. I dyshuari ka marrë plagë të rënda nga djegia. “Fillimisht dëgjuam një zhurmë, që u duk si plasja e një tullumbaceje, por më pas pamë një zonjë që bërtiste ‘çfarë po bën?’. Kur kthyem kokën, pamë që po ndodhte një përleshje, pak radhë pas vendit ku ishim ne, dhe pamë tym. Një pasagjer u hodh mbi djalin që kishte krijuar problemin, e më pas sollën dhe pompën e ujit për shuarjen e zjarrit. Kishte shumë panik për 3-4 minuta”, tregon Elias Fauaz, dëshmitare në vendngjarje. Një tjetër udhëtare, Melinda Denis, pohon se i dyshuari mori të djegura të rënda. “I dyshuari është djegur keq. Gjithë këmbën e kishte të djegur”, pohon Denis. Presidenti Obama ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë për kompanitë ajrore amerikane. Kongresmeni Peter King tha se i dyshuari është një nigerian 23-vjeçar, me lidhje me Al Kaidën. I dyshuari është identifikuar si Umar Faruk Abdul Mutallab dhe ka pranuar para policisë se vepronte në emër të Al Kaidës. Ai ka pohuar se e kishte marrë lëndën shpërthyese në Jemen. Në kushte anonimiteti, zyrtarë sigurie kanë thënë për mediat se Mutallab ka pranuar se ishte udhëzuar ta hidhte në erë aeroplanin në territorin amerikan. Autoritetet amerikane kanë kërkuar nga të gjitha vendet t’i rrisin masat e sigurisë për fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara, për një kohë të pacaktuar. Në aeroplanin, që fluturonte nga Amsterdami drejt Detroitit, gjendeshin 278 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 11 personash.

Kosova, 11 njohje për 2009, shkaku konsiderohet Haga

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë konsideron se procesi në GJND ka shkaktuar ngecjen e njohjeve. Gjatë vitit 2009 ka pasur vetëm 11 të tilla, ndërkaq, njohës të së drejtës ndërkombëtare pohojnë se edhe lobimi jo në nivel i institucioneve, ka ndikuar në këtë proces. Ministria e Punëve të Jashtme jep dy arsye për këtë ecuri të ngadaltë të njohjeve. Zëdhënësja Albana Beqiri konsideron se nuk duhet të bëhen krahasime mes dy viteve. “Nuk mund të kemi krahasime mes vitit të parë dhe vitit të dytë, për vetë specifikat që ka pasur viti i parë i pavarësisë së Kosovës. Ju e dini se bumi më i madh i Kosovës ka ardhur në ditët e para, në muajin e parë, nga shtetet që edhe e kanë sponsorizuar pavarësinë, e që kanë qenë edhe shtetet e para që e kanë njohur dhe e kanë ndërmarrë këtë hap”, shprehet Beqiri. Ajo pranon se edhe në muajt e fundit të 2008-ës ka pasur rënie të njohjeve. Ndërkaq, ndër shkaqet kryesore, që përmend Beqiri, është procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë që u zhvillua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova, deri tani është njohur nga 64 shtete të botës.

Kroaci
Mbahen zgjedhjet presidenciale

Sot në Kroaci zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Rreth dhjetë kandidatë janë në garë për president. Anketat e opinionit tregojnë se do të ketë një raund të dytë votimesh më 10 janar për të caktuar fituesin. Sipas të njëjtave burime, Ivo Josipoviç, nga opozita socialdemokrate e ka siguruar vendin për në raundin e dytë, pasi kryeson me 15% nga ndjekësi më i afërt. Pas tij, në një garë shumë të ngushtë, janë kryebashkiaku kundërthënës i Zagrebit, Milan Bandiç, dhe biznesmeni Nadan Vidoseviç. Presidenti aktual, Stipe Mesiç, e ushtroi detyrën e presidentit për dy mandate pesë vjeçare.

Venezuelë
Gjenden trupat e 9 marinarëve grekë

Pranë brigjeve venezueliane u gjetën të pajetë trupat e marinarëve të anijes tregtare greke “Aegean Ë///ind” e mbytur ditën e premte. Lajmi konfirmohet nga autoritet detare venezueliane, ku shtohet se 9 trupat e pajetë janë gjetur në brigjet e vendit pas disa orësh kërkime. Pas mbytjes, 9 marinarët, personel i anijes greke u shpallën të zhdukur. Anija “Aegean Ë///ind”, ishte nisur prej porteve braziliane me destinacion Teksasin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe transportonte një sasi të konsiderueshme metalesh.

Iran
Opozita organizon sërish protesta

Përleshje mes policisë dhe protestuesve janë regjistruar dje në Teheran. Lajmin e bëjnë të ditur burime të afërta me opozitën iraniane. Ngjarja nuk mund të konfirmohet nga media ndërkombëtare, pasi atyre u është ndaluar të ndjekin drejtpërdrejt protestat. Sipas faqes “Jaras”, seksioni i policisë kundër manifestimeve ka ndërhyrë në tentative për të shuar protestën, e cila mund te zgjerohet edhe në zona të tjera. Kjo protestë është vazhdim i shumë të tjerave dhe me anë të tyre synohet të vihet në pah korrupsioni i zgjedhjeve dhe rezultati i tyre.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›