Elbasan, bllokohet Qafë–Kërraba
ELBASAN - Rruga nacionale që lidh Elbasanin me Tiranën dje është bllokuar në Qafë–Kërrabë. Policia rrugore nuk lejoi të kalonin makinat gjatë këtij aksi, ku trashësia e dëborës kishte arritur në më shumë se 40 centimetra. Ndërkohë, disa akse kryesore që lidhin Elbasanin me qytete të tjera janë bllokuar si pasojë e reshjeve. Trashësia e dëborës arriti dje deri në 60 centimetra në aksin Librazhd - Qafë Thanë. Probleme nga reshjet ka pasur dje sidomos në rrethin e Gramshit, por dhe në disa zona malore në këtë qark, siç është zona e Gjinarit, ku trashësia e dëborës arriti në afro një metër. Burime nga policia bënë të ditur se problemet më të mëdha janë hasur në Qafë-Kërrabë, ku trafiku i makinave është edhe më i madh. Gjatë paradites mjetet e kanë pasur të pamundur të kalojnë, ndaj efektivët e qarkullimit kanë sugjeruar shoferët të kalojnë nga Rrogozhina. Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve, Ylli Llanaj, për hapjen e akseve të bllokuara po punohet me intensitet të lartë. Ai pohoi se janë katër borëpastruese që janë atashuar në rrugët nacionale Elbasan- - Qafë Thanë dhe Elbasan - Kilometri 29, me qëllim zhbllokimin e rrugëve për automjetet. Burime të policisë bënë të ditur se me gjithë situatën e vështirë nëpër rrugë, dje për fat të mirë nuk është shënuar asnjë aksident. a.k