E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytet Tirana, në Kombinat 70 familje jashtë shtëpive

 

zirina llambro

Rrugë ku uji vërshonte nga katër anët, shtëpi të përmbytura e dyqane në bodrume të tejmbushura. Pos kësaj, një kaos i vërtetë me trafikun, ku gjatë gjithë ditës veç të sharave e sherreve mes shoferëve, të pamundur të çanin në rrugë e kanë pasur edhe ambulancat. Sirenat e alarmit të tyre ishin krejt të panevojshme pasi në akset kryesore, karvani i makinave kish bllokuar kalimin. Kjo ishte panorama që të ofrohej dje në Tiranë. Edhe pse jo në hartën e qyteteve me situatë emergjente, problemet për shkak të reshjeve të dendura kanë qenë të mëdha. Më e rëndë gjendja ishte në zonën e kombinatit. Në lagjen 6 të saj, si pasojë e shpërthimit të ujërave të një kanali kullues, 100 familjeve iu përmbytën shtëpitë e 70 prej tyre nuk mund të hynin fare në to. Fillimisht me mjete rrethanore e më pas me fadromat e dërguara nga strukturat e pushteti vendor u zhbllokuan disi rrugët. Por sipas banorëve, zgjidhja është e përkohshme. Kjo, pasi rruga nuk ka fare kanalizime dhe mund të bllokohet sërish nëse shiu vazhdon. “Në shumë prej shtëpive uji ka arritur deri në një metër dhe as nuk dimë ku do ta kalojmë natën. Deri tani nuk na është dhënë nga askush ndonjë ndihmë konkrete. Përveç fadromës që hapi rrugën dhe i vuri fre vërshimit të kanalit që shkaktoi përmbytjen”, u shpreh njëri prej banorëve. Të gjithë bashkë kanë kërkuar ndihmë nga shteti për të vënë në vijë situatën, ngaqë nuk kanë ku të fusin kokën deri sa të stabilizojnë shtëpitë. Përmbytja e banesave ka nisur rreth mesditës dhe mbushja e shtëpive me ujë ka qenë e pamundur të parandalohet. Veç Kombinatit të tjera rrugë problemave kanë qenë “Komuna e Parisit”, ”Irfan Tomnini”. Tek e para uji ka arritur deri në 50 cm në të gjithë garazhet e dyqanet në bodrume, ndërsa ka qenë e pakalueshme për banorët. Një pjesë e pallateve janë nën kuotë dhe kolektori kryesor i Tiranës është i ndërtuar mbi to. Për rrjedhojë, përmbytjet janë gati të përhershme më përmasa të tilla reshjesh. Ndërsa sa i përket “Irfan Tomninit”, banorët e kësaj lagje janë mësuar tashmë. Sa herë bie shi mbyllen në shtëpi e presin sa të zbrazen pellgjet gjigante me ujë përpara pallateve. Veç tyre edhe rrugë të tjera në periferi kanë qenë gati të bllokuara. Me gjithë rikonstruksionet që janë bërë, kanalizimet e një pjese të mirë të tyre lënë për të dëshiruar. Nuk mund të anashkalohet edhe shiu i dendur, që ka vazhduar përgjatë gjithë ditës. Ndërsa sa i përket trafikut të rënduar, Policia e Qarkullimit Rrugor në të tilla raste del jashtë loje. Edhe pse dhjetëra policë përpiqeshin të drejtonin fluksin e tmerrshëm të automjeteve, nuk shihej asnjë ndryshim.

Abazaj: Rruga ne kombinat pa kanalizime

“Ky rast është denoncuar shumë herë, na janë premtuar se do të kryhen ndërhyrje, por kanë mbetur vetëm premtime, pushteti vendor na ka mashtruar”. Kështu u shprehën dje banorët e Kombinatit të cilëve ju përmbytën shtëpitë. Kryetarja e minibashkisë nr 6 Luzhiana Abazaj, pohoi se Bashkisë së Tiranës i është kërkuar të ndërhyjë disa herë për të rikonstruktuar tërësisht rrugën por nuk është marrë asnjë masë. ”Madje e kemi ngritur me force këtë problem pasi bashkia e Tiranës e ka vënë rrugën në listën e investimeve jo si rikonstruksion por vetëm asfaltim,ndërkohë që aty duhet të kryhen të gjitha kanalizimet pasi rreziku i përmbytjes është i përhershëm”,tha Abazaj. Ndërkohë, banorët kanë bërë thirrje që në zonën e tyre të kryhen kanalizimet, të rregullohen rrugët dhe politikanët të mos shkojnë vetëm për votat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›