E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dëbora izolon komunat, shkollat pa ngrohje

 

KORÇE - Dëbora izoloi dje disa zona të thella të qarkut të Korçës. Reshjet vijuan gjatë gjithë ditës duke shënuar një trashësi prej rreth 30 centimetra në qytet dhe 50–60 centimetra në zonat malore. Situata më e rënduar u krijua në zonat e Dardhës, Lekasit, Mokrës, Liqenasit, Voskopojës etj. Dhjetëra fshatra të këtyre zonave janë të bllokuar. Temperatura minimale dje shënoi minus 3 gradë celsius, ndërsa ajo maksimale 4 gradë. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencave në Prefekturën e Korçës, Dhori Çekrezi, po punohet intensivisht në mënyrë që të evitohet bllokimi i akseve nacionale. Rruga për në Qafë-Thanë e në Qafë-Qarr përshkoheshin me zinxhirë, ndërsa në aksin Korçë–Kapshticë punojnë pa ndërprerje 2 borëpastruese. Temperaturat e ulëta krijuan probleme dje në shkollat e Korçës, të cilat nuk kanë ngrohje. Vendimi i qeverisë parashikon furnizimin me dru zjarri për periudhën 15 nëntor deri më 15 mars. Por mësuesit bëjnë apel të rishihet ky vendim. Sipas tyre, nuk mund të ketë një vendim të njëjtë si për shkollat e Durrësit apo zona të tjera të Shqipërisë së Mesme, ashtu edhe për zonat e thella malore, siç është p.sh: Korça.                                  j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›