E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, çdo ditë një i vdekur nga ndotja

APELI/ Sejdini vendos t'i drejtohet me një letër të hapur kryeministrit: "Zgjidhni problemin e mbeturinave për Elbasanin"


ELBASAN - Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini ka vendosur t'i drejtohet nëpërmjet një letre të hapur kryeministrit, ministrave Prifti e Mediu për zgjidhjen e problemit të landfillit të Elbasanit. Sejdini deklaroi se i ka bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi por për mungesë kompetencash kjo gjë mbetet ende një gangrenë për qytetin e Elbasanit.


Kryebashkiaku deklaroi se nga të dhënat zyrtare që disponohen nga rreth 2 vdekje në ditë që regjistrohen në zonën e Elbasanit një ka si shkak ndotjen e mjedisit.


"Ndotja e cila prej vitesh i vjen qytetarëve të Elbasanit nga djegia në fushën e plehrave është bërë një shqetësim madhor për çdo banor të këtij qyteti. Ajo është sot më evidente se kurrë, por edhe shqetësimi dhe padurimi është më i madh se kurrë.


Nuk ka asnjë arsye qoftë humane, qoftë zyrtare që të rrimë e të presim derisa shifrat dhe statistikat të na tregojnë se sëmundja e kancerit, nga e cila vdesin çdo ditë njerëz, të provohet se është e lidhur me këtë ndotje. Bashkia e Elbasanit, edhe pse ka qenë e vetëdijshme se zgjidhja e këtij problemi është përtej kompetencave të saj, që prej 3 vitesh ka bërë dhe po bën përpjekje maksimale në këtë drejtim.


Por arritja në një zgjidhje përfundimtare kërkon vullnetin e të gjithë aktorëve , sidomos të agjencive qeveritare të pushtetit qendror", theksoi kryebashkiaku.

"Sa më shumë të humbisni kohë duke dëgjuar partiakë që nuk u dhimbset qyteti apo pseudo-specialistë, aq më shumë njerëz do të sëmuren dhe do të vdesin në këtë qytet nga ndotja që vjen nga fusha e plehrave. Në përfundim, në emër të të gjithë banorëve të këtij qyteti, qofshin të djathtë apo të majtë, ju pres në Elbasan, që të shihni dhe të përdorni ndikimin Tuaj të domosdoshëm për t´i dhënë fund njëherë e mirë këtij shqetësimi jetik", e përfundon letrën e hapur kryebashkiaku Sejdini.


Ai gjithashtu në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve tha se gjatë këtyre tre vjetëve nuk ka lënë institucion pa trokitur, deri edhe ambasadorë, për zgjidhjen e problemit të plehrave. "Nisma ime nuk ka mbetur në rrugë pasi ky është një problem që unë kam shkuar jo vetëm në ministri apo institucione, deri në ambasada. Por në fund të fundit, Agjencia rajonale e mjedisit nga shifrat më të fundit tregon që ndotja është brenda normave të lejuara.


Por zotërinj, kur çdo ditë më shumë se gjysma e qytetit thith erën dhe ajrin e mbeturinave të fushave të plehrave, kur kam tre vjet që kam paraqitur një projekt për fushën e plehrave dhe kur kam kaq kohë që bëj përpjekje dhe pengohem vetëm se kjo nismë është një premtim imi si kryetar bashkie, nuk kam rrugë tjetër vetëm t'i drejtohem kryeministrit".


Në lidhje me variantet e mundshme për Fushën e Grumbullimit të Mbeturinave në Papërr dhe Metalurgji, kryebashkiaku theksoi: "Unë kam dhënë variantin tim të cilin e kam publikuar, ndërsa ata që kanë qenë më parë në bashki, kanë dhënë variantin e tyre. Hajt të vendosim një nga këto kush është më i shpejtë dhe më i volitshëm për të bërë të mundur transferimin e fushës së plehrave.


Varianti që kam dhënë unë, është varianti më i shpejtë, më i mundshëm dhe që e zgjidh këtë problem brenda 6 muajsh për qytetin e Elbasanit.


Ka një studim për dy landfillet që propozohen. Ka edhe një hartë për vendosjen e aparaturave për djegien e plehrave, por kryetari i bashkisë është i pafuqishëm për të vendosur mbi këtë problem".


Pyetjes se nëse e shikon si një bllokim politik moszgjidhjen e problemit të transferimit të mbetjeve urbane, Sejdini u përgjigj se, nëse është vërtet kështu, atëherë ata që lobojnë kundër zgjidhjes, nuk e meritojnë votën e qytetarëve.

"Nëse do ta quaja bllokim politik, për mua nuk ka rëndësi politika por qytetarët, shëndeti i tyre dhe zgjidhja. Nëse e gjykojmë drejt, duhet të gjejmë zgjidhje për qytetarët, në të kundërt nëse nisen nga fakti që është kryetari i bashkisë i Partisë Socialiste, prandaj pengojmë zgjidhjen, atëherë këta njerëz nuk e meritojnë votën e qytetarëve. Është gabim fatal, sepse dëmtojnë jetën e familjarëve dhe qytetarëve të vet.


Mua nuk më intereson politika para jetës. Jam i gatshëm të pranoj një zgjidhje që i shërben qytetarëve", tha Sejdini duke theksuar në fund se "nga të dhënat zyrtare që kemi, në Elbasan vdesin mesatarisht 1,8 njerëz në ditë.


Një vdes në mënyrë natyrale dhe 0.8 nga kanceri dhe mua më vjen keq që këto shifra nuk merren parasysh dhe nuk vlerësohen",- ka përfunduar kreu i Bashkisë së Elbasanit.
Fusha e Mbeturinave të qytetit të Elbasanit e ndodhur në pjesën jugore të qytetit, çdo stinë të nxehtë kthehet në vatër zjarri, duke pushtuar me tymin helmues të gjithë zonën jugore dhe më pas duke u shpërndarë në të gjithë qytetin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›