E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Letra për Uidhers, histori e Kim Filbit

Ministri i Punëve të Jashtme: Nuk ka asnjë rezolutë shqiptare për Kosovën, ia kam thënë edhe ambasadorit serb


"Filbi është një personazh i viteve '50-'60, mbajeni në bibliotekën tuaj, është personazh interesant"


TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, nuk ka preferuar dje të japë një koment mbi letrën e dërguar sekretares së Shtetit të SHBA, Hilari Klinton, mbi ish-ambasadorin Xhon Uidhers, duke e cilësuar si një histori të Kim Filbit.


I pyetur nëse do të japë një detaj mbi letrën e dërguar ndaj Klinton, teksa herën e fundit e mohoi ekzistencën e një letre të tillë, ndërkohë që nga letra e Gordon duket qartë që e ka dërguar, kreu i diplomacisë shqiptare tha se "nuk merret me historitë e Kim Filbit".


"Kim Filbi është një personazh i viteve 50-60, ndaj Kim Filbin mbajeni në bibliotekën tuaj, pasi është personazh interesant", -deklaroi Meta.


Ministri i Jashtëm preku gjithashtu dhe çështjen e Kosovës, për të cilën deklaroi se sovraniteti dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm dhe i pacenueshëm, ashtu sikurse i çdo vendi tjetër në rajonin tonë. Ndaj, sipas tij, çdo provokim i cili tenton të vërë në diskutim pikërisht një çështje të tillë është i panevojshëm.


"Opinioni i dhënë nga GJND-ja për pavarësinë e Kosovës, veçse përforcoi dhe më tej legjitimitetin e vendimit të marrë nga Parlamenti dhe populli i Kosovës dhe njëkohësisht faktin që gjithçka u krye në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit", -deklaroi Meta.

Sipas numrit dy të qeverisë, kjo tregon më së miri se është koha që të gjithë t'i izolojmë ata elementë ekstremistë të cilët kërkojnë të vënë në diskutim kufijtë në rajonin e Ballkanit.


Ai vlerësoi se është e rëndësishme që të gjithë të punojmë për t'i hequr kufijtë në Ballkan, sepse kjo është e ardhmja e rajonit: një Ballkan në Bashkimin Evropian.


I pyetur se ne qarqet diplomatike serbe përflitet që nisma për një rezolutë për Kosovën nga ana e diplomacisë serbe ka ardhur pas fjalëve se sikur edhe Shqipëria ka pasur në plan një rezolutë, kreu i diplomacisë shqiptare thotë se nuk qëndron.


"Çdo pretendim nga ana e Serbisë, sipas pyetjes, se ajo ka qenë e motivuar për paraqitjen e një projekt-rezolute të njëanshme për shkak se Shqipëria do të paraqiste një rezolutë për Kosovën, absolutisht që nuk qëndron", -deklaroi Ilir Meta.


Ai bëri të ditur se Ambasadori i Serbisë në Tiranë është thirrur me porosinë e tij në Ministri, dhe i është bërë e qartë se Shqipëria nuk tenton të paraqesë asnjë rezolutë në mënyrë të njëanshme dhe se nuk do dëshironte njëkohësisht që edhe Serbia apo kushdo tjetër të paraqiste një rezolutë të njëanshme në OKB, pasi kjo është rruga më e gabuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.


"Bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë me BE-në, ku duam të anëtarësohemi, por edhe me partnerë të tjerë shumë të rëndësishëm dhe vitalë për të ardhmen e paqes dhe stabilitetit të këtij rajoni, siç janë SHBA-të, është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ndaj, një pretendim i tillë nuk mundet të qëndrojë edhe për këtë fakt shumë të thjeshtë",- shprehu besimin Ministri i Punëve të Jashtme.


Kush është Kim Filbi


Me emrin e vërtetë Harold Adrian Russel Philby, Kim Filbi është ndoshta më i famshmi agjent i dyfishtë i Luftës së Ftohtë.


Si shtetas britanik dhe përgjegjës për sektorin antisovjetik të MI6, Kim Filbi punoi tërë jetën për llogari të KGB-së. Ishte ai, që pasi mori nga CIA informacione për operacionin Venona, ia kaloi ato sovjetikëve.


Kështu, nga viti 49 deri në vitin 51 të tëra përpjekjet e CIA dhe të MI6 për të organizuar një kryengritje antikomuniste në Shqipëri, dështuan me sukses. Sigurimi shqiptar ishte gjithmonë në dijeni në zbarkimit të trupave antikomuniste, në sajë të KGB-së, që ishte e informuar në sajë të Kim Filbit.


I strehuar përfundimisht në Bashkimin Sovjetik në vitin 63, Kim Filbi u nderua me urdhrin e Heroit të Bashkimit Sovjetik dhe pulla poste me imazhin e tij u emetuan nga posta sovjetike.


Viktimat e aksidenteve sa vrasjet në Afganistan


TIRANË- Partia Socialiste vlerësoi dje se viktimat e aksidenteve rrugore në Shqipëri kanë nivele të përafërta me vrasjet në Afganistan. Në një komunikim për mediat, deputeti socialist Artan Gaçi, reagoi ndaj ministrit Basha duke i cilësuar si një gënjeshtër deklaratat e tij se siguria në rrugë është përmirësuar dhe se ka rënë numri i vdekjeve nga aksidentet.


"Në një kohë kur viktimat e aksidenteve rrugore në Shqipëri kanë kapur nivele të përafërta me vrasjet në Afganistan, Lulzim Basha del e bën lojëra fjalësh duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë e tij në menaxhimin e sigurisë së rrugëve", -deklaroi Gaçi.


Sipas tij, Lulzim Basha deklaroi se ka rënë numri i aksidenteve me pasojë vdekjen, kur në fakt jo vetëm që numri i aksidenteve ka qenë më i lartë, por më shumë qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e këtyre aksidenteve se një vit më parë. Zyrtari socialist theksoi se në muajin korrik 2010 sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, pati 151 aksidente prej të cilave humbën jetën 51 qytetarë, krahasuar me 148 aksidente e 48 jetë të humbura në korrikun e 2009-ës, kur Ministrinë e Brendshme nuk e drejtonte Lulzim Basha.



BRAÇE:
Berisha favorizoi Vokshin për përfitime personale

TIRANË- Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erion Braçe, deklaroi dje se Berisha ka favorizuar për përfitime personale, kompaninë e bashkëshortit të deputetes Albana Vokshi, duke i dhënë të drejtën e shfrytëzimit të 4 nga 6 vendburimeve të naftës që ka vendi.


Ai bëri dje publike një sërë dokumentesh, të cilat ngrenë dyshime për mënyrën sesi kompania "Stream Oil", ka arritur të përfitojë, duke qenë një kompani pa përvojën e duhur dhe me procedura të falsifikuara. Braçe nënvizoi se "Stream Oil" është favorizuar që nga blerja e 2 milion aksioneve me vlerë 5 milionë dollarë e deri tek procedurat e kryera nga noterë të dala nga studioja e vajzës së kryeministrit, që kanë ndihmuar dhe biznesmenin Damir Fazliç.


"Më datën 15 gusht, pra vetëm 1 javë pasi ka marrë kontratat qeveritare, aksionerët e kësaj kompanie hyjnë në transaksione dhe blejnë 2 mln aksione të themeluesve të "Stream Oil", me një vlerë prej 5 mln dollarësh. Dokumenti është ky.


Ajo që është e rëndësishme të thuhet në këtë rast, ka të bëjë me faktin që zyrtarët e kompanisë fshehin shitësin e këtyre aksioneve", -deklaroi Erion Braçe. Ai akuzoi drejtpërdrejt Berishën, se në ndihmë dhe të studios së vajzës së tij ka favorizuar këtë kompani si shumë të tjera në vend. Sipas tij nuk bëhet më fjalë për një aferë korruptive, por për kapje të shtetit nga kryeministri dhe familja e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›