E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, flakët shkrumbojnë 8 apartamente, 35 banorë në qiell të hapur

PRRENJAS - Zjarri shkrumbon ish-hotelin e punëtorëve, mbeten pa strehë 35 banorë të qytetit të Cërrikut. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut të Elbasanit pohojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 20:00. Mësohet se në lagjen ish-parku i mallrave, në një bllok të vogël banimi është shfaqur në rrethana ende të paqarta një vatër e fuqishme zjarri, e cila është përhapur me shpejtësi. Sipas policisë lokale, brenda pak minutave, flakët gjigante janë përhapur në të gjitha drejtimet. Ndërkohë, banorët të tmerruar nga flakët e zjarrit kanë braktisur me shpejtësi banesat e tyre. Në harkun kohor të 30 minutave, 4 apartamente të dy ndërtesave janë shkrumbuar plotësisht dhe 4 të tjera janë djegur pjesërisht. Në kohë rekord në bllokun e banimit ku kishte rënë zjarri kanë mbërritur dy makina të shërbimit zjarrfikës të stacionit të Librazhdit, forca të shumta policore, qytetarë dhe mjete të firmave private, të cilat kanë kontribuar në izolimin e flakëve që po përparonin në drejtim të një pike karburanti që ndodhe shumë afër vendit të ngjarjes. Janë dashur rreth 90 minuta që flakët e zjarrit të izolohen dhe të evitohej nga përfshirja nga zjarri e një pike karburantit, i cili përbënte një rrezik potencial për shkaktimin e një katastrofe në këtë zonë. Burimet e mësipërme sqarojnë se katër apartamentet që u shkrumbuan nga flakët si dhe katër të tjerat që u dogjën pjesërisht, u përkisnin që të gjitha familjeve me gjendje shumë të vështirë ekonomike, të cilat ishin strehuar në këtë bllok banimi rreth 20 vite më parë. Fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar nga pjesëtarët e tetë familjeve, banesat e të cilave u dëmtuan nga zjarri. Nga ana e grupit hetimor nuk është arritur të përcaktohet shkaku i rënies së zjarrit me përmasa të mëdha, por paraprakisht dyshohet se që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kjo dhe për faktin se rrjeti elektrik ishte tejet i amortizuar në këto banesa. Për shkak të djegies së këtyre banesave, rreth 35 persona mbetën të pastrehë. Atyre iu erdhën në ndihmë iu kanë bashkëqytetarët e Përrenjasit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›