E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, gjendet e braktisur makina e policit të Vlorës

Një punonjësi policie nga Vlora i është vjedhur makina në qytetin e Elbasanit dhe për çudi ajo është gjendur e braktisur në anë të rrugës Elbasan Metalurgji. Një telefonatë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit , se një makinë e dyshuar qëndronte në anë të rrugës e ndezur dhe me sinjalet auto-sotp, ka bërë që policia të nisej shpejt në vendin e lajmëruar. Sipas burimit zyrtar, makina tip Benz me targa VL 78 62 C , është gjetur e ndezur, me dyer të hapura dhe dy gomat e para të saj të shfryra plotësisht. Hetimet e para kanë nxjerrë se mjeti i braktisur ishte pronë e punonjësit të policisë, F. SH, 49 vjeç, punonjës në komisariatit  e Vlorës. Dy ditë më parë polici vlonjat mësohet të ketë qenë si mik në Elbasan, por ka njoftuar kolegët e tij në këtë qytet, kur do të kthehej për në Vlorë se makinën ia kishin vjedhur. Ngjarja është mbajtur jashtë informacionit mediatik për tu publikuar pas gjetjes së rastësishme të saj. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se vjedhësi, pasi është zbuluar nga disa punonjës të sektorit kriminal, ka braktisur mjetin për të mos rënë në duart e policisë. Po hetohet, në bazë të shenjave të gishtave të lënë në makinë, për identifikimin dhe gjetjen e autorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›