E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e ndihmës ekonomike duhet rishikuar!

Nga Sadedin ÇELIKU
Në më pak se dy muaj para zgjedhjeve, qeveria shqiptare miratoi një paketë për rritjen e pagave e pensioneve dhe sigurimet e shoqëruesve të paraplegjikëve dhe të tetraplegjikëve. Ajo që të çudit është fakti që kudo dhe në çdo takim përdoret fjala rritje. Askush nuk thotë se çmimet janë rritur 100-300 % dhe në mënyrë të veçantë mallrat e shportës e të përdorimit të përditshëm. Qeveria e z. Bode  deklaron se qeveria nuk ndërhyn dhe për rrjedhojë nuk mund të marrë masa për disiplinimin në tregun e çmimeve sepse këto i takojnë tregut si rregullator etj. Asnjë nuk merret me llogaritjen e normës së inflacionit pra zhvleftësimin e lekut etj. Pra nuk bëhet fjalë për rritje, por për ulje të pagave e pensioneve sepse masa që qeveria quan rritje nuk arrin dot të bëjë indeksimin proporcional të pagave e pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Të thënat dhe të pathënat janë pjesë përbërëse e fushatës elektorale por që në fund të fundit nuk do të shërbejë për asgjë, sepse populli shqiptar është i mençur dhe nuk mund të durojë me sloganet që dhurojnë politikanët në fushata elektorale. Bota po rrezikohet dhe ekonomitë po kërcënohen nga njëra anë nga deflacioni për shkak të panikut që ka përfshirë investitorët dhe nga ana tjetër rritja e borxhit publik që tek ne po bëhet pa frena që domosdoshmërisht do të çojë në nivel të lartë inflacioni. Këto faktorë dhe  mungesa e masave antikrizë do të shkaktojnë përveç dëmeve që do të paguajë konsumatori, edhe dëme për financat publike. Politikëbërësit duhet të marrin masa për ndryshimin e kursit. Qeveria është e prirur më shumë drejt masave elektorale se sa drejt pasojave që presim të vuajmë muajt e ardhshëm. Askush nuk mendon për perspektivën e vendit dhe eliminimin e plagëve sociale që shfaqen gati te çdo shqiptar. Vendi ynë ka rreth 30-40 % të papunë pa llogaritur këtu informalitetin dhe punën e zezë që përshkon gati tërësisht biznesin e vogël dhe një pjesë të mirë të biznesit të madh. Konceptualisht ka një keqkuptim midis asaj që quhet ndihmë ekonomike, asistencë sociale apo pagesë papunësie. Të gjithë i futim në një kallëp. Në Shqipëri trajtohen me ndihmë ekonomike 93.000 familje, nga 151.000 familje që trajtoheshin në vitin 2000 dhe shpenzohen rreth 100 milionë dollarë. Shuma e ndihmës ekonomike, e plotë dhe e pjesshme varion nga 1000-5000 lekë të reja në muaj. Kini parasysh se kjo vlerë jepet për familje dhe jo për individë. Kjo skemë ka rezultuar e dështuar nga të gjitha qeveritë e deritanishme  sepse çdo shqiptar e ka të qartë se nuk mund të mbajë një familje prej 4-5  pjesëtarë me 1000 lekë, apo qoftë edhe 5000 lekë. Kjo nuk do të mjaftonte edhe vetëm për bukë të thatë. Me këtë skemë, ne pra nuk i ndihmojmë familjet shqiptare por vetëm i mësojmë dembele dhe pse jo të vjedhin. Deri në fillim të vitit 1998 kjo skemë ishte konceptuar ndryshe në formën e fondeve të punëve publike duke punësuar familjet në nevojë në komunitet por edhe kjo aventurë dështoi bile gati i tërë fondi vidhej. Lëvizja e lirë e njerëzve pra migrimi në mënyrë të veçantë nga Shqipëria e veriut bëri që kjo skemë të mos kontrollohet dot. Janë me mijëra ata që banojnë në Tiranë dhe vazhdojnë të marrin ndihmën ekonomike atje nga vijnë ose vidhet. Këto ditë kam dëgjuar premtime të partisë në pushtet, G99, LSI, e të tjerë se do të dyfishojnë fondin e ndihmës ekonomike. Madje aktualisht thuhet se po hartohet një skemë e re e cila do të mbulojë plotësisht familjet me një prind, familjet me shumë fëmijë dhe rreth 3000 shoqërues që do të sigurojë shteti për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Problem nuk është se sa e vërtetë është kjo, por problemi është tek efektiviteti i skemës së ndihmës ekonomike për të cilën flitet për ulje ngritje pa bërë asnjë politikë. Për sa kohë shuma e ndihmës ekonomike do të funksionojë e veçuar nga skema e nxitjes së punësimit ajo do të rezultojë e dështuar. Duke ndjekur një debat këto ditë lidhur me këtë çështje më habiti një miku im kur tha se ato që humbasin vendin e punës duhet të orientohen dhe përshtaten me tregun e punës. Dhe ai nuk e ka gabim por ku ta gjejmë tregun e punës. Edhe sektori i ndërtimit që kishte vende pune tashmë është në krizë. Problemi i papunësisë është fenomen që e vuan e gjithë bota sot por tek ne është kthyer në sistem për shkak të mungesës së theksuar të politikave. Duket se sa prioritet e kemi atë ministri, sa e kemi quajtur Ministri e Punës dhe e Shanseve të Barabarta. Çdo qeveri atë ministri ia ka shitur aleatëve në koalicion. Pra mungon koncepti dhe vullneti politik që atë ministri ta mbështesim në funksion të reduktimit të varfërisë, ndihmesës së familjeve në nevojë dhe zënien me punë të ushtrisë së të papunëve. Janë 23 institucione rezidenciale në Shqipëri, si shtëpi pleqsh, shtëpi foshnjash e fëmijësh  dhe qendra zhvillimi mendor e fizik që u shërbehet në mënyrë parciale për shkak se presin ndihmën ekonomike nga OJF-të që të mbijetojnë. Kemi 36 zyra pune (drejtori) në rrethe që hane bukë kot se nuk futin në punë njeri. Njerëzit nuk venë të regjistrohen në këto zyra sepse ato nuk kanë se çfarë tu ofrojnë. Në këtë mënyrë përplasen në zyrat e njësive vendore për të marrë ndihmën ekonomike që nuk mjafton edhe për një ditë të vetme. Të vjen keq që nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë dalin rreth 300 milionë dollarë për ndihmë ekonomike, qendra formimi profesionale të orientuara atje ku nuk ka treg pune etj., dhe ne nuk jemi në gjendje të evitojmë rrjedhjen dhe të administrojmë këtë fond të madh për shtetasit në nevojë. Ne jemi një vend mjaft i vogël  dhe është turp të kemi kaq të papunë. Ndihma ekonomike nuk duhet dhënë kesh dhe as e konvertuar në vaj e fasule. Në këtë mënyrë nuk e zgjidhim problemin. Duhet bërë një alternim me politika të qarta të punësimit. Që të realizohet kjo kërkon një pakt mirëkuptimi  nga të gjithë partitë dhe unifikim politikash. Kjo nuk është e vështirë të bëhet, mjafton të administrojmë si duhet dhe të përshtasim përvojën e shteteve që kanë të njëjtat plagë si dhe ne. Varfëria, papunësia, mbështetja e familjeve në nevojë nuk duhet të keqpërdoren politikisht për interesa të çastit dhe aq më keq të tallen me këtë kategori njerëzish.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›