Elbasan, i mituri denoncon largimin nga familja të së ëmës
Një 36- vjeçare nga fshati Shushicë i Elbasanit, ka braktisur bashkëshortin dhe djalin mesditën e djeshme, teksa ishte justifikuar se do të ndalonte në një parukeri të qytetit. 36 vjeçarja Luljeta Rada, ndodhej në qytetin e Elbasanit me bashkëshortin e saj, Tahirin dhe djalin Astritin dhe teksa ka gjetur pretekstin për të hyrë në një parukeri, nuk është parë më që të dalë prej andej.
Mami na tha se do të rregullonte flokët te parukeria, por kur u vonua shumë, hymë brenda për ta parë, ndërsa parukierja na tha se kishte dalë nga dera e pasme, ka deponuar 15- vjeçari, teksa ka bërë denoncim për të ëmën në policinë e Elbasanit. Minoreni ka shpjeguar në polici se kallëzimi ishte bërë nga ana e tij, pasi të atit i vinte turp që gruaja e tij ishte larguar nga dera e pasme e parukerisë. Mësohet se Luljeta Rada, nga fshati Shushicë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, nuk i ka rënë në sy parukieres se pse donte të dilte nga dera e pasme e dyqanit. Hetimet e para të policisë kanë nisur nga floktorja, por pronarja e saj nuk kishte hedhur asnjë hije dyshimi kur klientja ishte larguar nga tjetër derë ku kishte hyrë. Policia është hedhur në kërkim të 36- vjeçares, ndërkohë që djali denoncues ka shpjeguar se nëna e tij kishte katër muaj që nuk ishte mirë nga ana shëndetësore. Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, ndërkohë që Rada është shpallur person në kërkim