E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, metalurgët e Kurum bllokojnë makinat e uzinës

Luka: OSSH e Ujësjellësi të zgjidhin problemet pa penalizuar komunitetin

SHKODER – Pas rreth 30 orësh mungese rikthehet uji për 200 mijë banorë të Shkodrës. Ndërhyrja e autoriteteve vendore bëri të mundur rilidhjen e energjisë për ujësjellësin, duke sjellë furnizimin me ujë jo vetëm të familjeve, por dhe të një sërë institucionesh, si: spitalet, shtëpitë e pleqve, të fëmijëve me zhvillim të vonë, etj. OSSH e ndërmori vendimin e kufizimit të energjisë për ndërmarrjen e ujësjellësit, si masë ndëshkuese për një debi prej 178 milionë lekësh. Për drejtuesit e OSSH-së, “kjo ishte rruga e fundit që duhej të ndiqnim për ta detyruar ujësjellësin që të shlyejë detyrimet e tij”. Ndërsa për drejtuesit e ujësjellësit një veprim i tillë ishte sa antihuman aq edhe i paligjshëm. “Nuk mund të penalizosh 200 mijë banorë duke u ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm tani që temperaturat janë në pikun e tyre e aq më tepër pa na njoftuar më përpara”, tha dje drejtoresha e komanduar e kësaj ndërmarrjeje, Sabahet Villa. Vetëm paraditen e djeshme u rikthye energjia, e cila i ishte ndërprerë ujësjellësit prej mëngjesit të së mërkurës. Për këtë ngjarje reagoi dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka. “Nuk mund të penalizosh një komunitet të tërë për mosmarrveshje institucionale”, u shpreh Luka. Sipas drejtoreshës Villa, i është kërkuar OSSH-së pagesa me këste e debitit, por nuk është pranuar. Ajo e justifikon këtë borxh të konsiderueshëm me faktin e reduktimit të subvencionit që qeveria u ka bërë faturave të energjisë elektrike. OSSH ka deklaruar se do të presë si kohë limit për shlyerjen e borxhit fundin e këtij viti. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›