E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, ministri Imami takohet me gazetarë

ELBASAN- Kryetari i Grupit të Punës për Partinë Demokratike në qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në takim me gazetarët, tha se "fakti që ne kemi të gjitha mediat në këtë takim është diçka pozitive".

"Unë do të bëj të gjitha përpjekjet e mia për sa i takon njërës palë, njërit krah, të djathtës, që të mos ketë tensione, probleme, fyerje, sulme personale, nuk e kam pasur asnjëherë në stilin tim këtë dhe nuk e kam në plan të bëj një fushatë negative apo problematike, theksoi ai. Sigurisht që janë partitë që vendosin për një strategji apo një tjetër. Këtu flas vetëm për ne. Ne jemi për një strategji pozitive", theksoi ai.

Ai tha se "ne mendojmë se i kemi arsyet për të folur pozitivisht dhe që qytetarët të na vlerësojnë apo jo për ato që kemi realizuar. Por, mediat mund të luajnë një rol pozitiv në uljen e tensionit, ashtu siç mund të luajnë një rol negativ në ngritjen e tensioneve të panevojshme. Ngritja e këtyre të fundit nuk u shërben zgjedhjeve dhe si rrjedhojë nuk i shërben as vendit në këtë kohë. E vetmja gjë që i duhet këtij vendi në këtë kohë janë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe jo problematike. Ne e kemi të qartë këtë dhe do të luftojmë për të qenë kështu".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›