Elbasan, përdor helm kundër parazitëve për pualt, rëndë 65 vjeçarja
Një 65 vjeçare nga një fshat i rrethit të Elbasanit rrezikon seriozisht jetën ngaqë ka dezinfektuar pulat e më pas kokën e saj me njëjtin helm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11: 30 të ditës së djeshme në fshatin Griqan të komunës së Labinotit-Fushë.
Sipas burimeve policore, 65 vjeçarja Fatime Çikoja është dërguar më urgjencë në spitalin e qytetit të Elbasanit dhe dje pas dite ka përfunduar në Spitalin Ushtarak, ngaqë mjekët e Elbasanit nuk i kanë garantuar dot jetën e saj. Mësohet se Çikoja ka spërkatur pulat në kotec me një lloj medikamenti të tipit ËILLOTOX, që zakonisht përdoret për parazitët e llojit pulis. Pasi ka mbaruar me dhjetë pulat, ajo ka hedhur në kokën e saj pluhurin e mbetur, pasi parazitët e pulave kishin mbushur edhe flokët e saj. Në pak minuta, ajo është gjetur e shtrirë dhe pa ndjenja pranë kotecit të pulave, ku të afërmit e kanë nisur menjëherë në spitalin e qytetit. Sipas burimeve spitalore, ngaqë jeta e saj rrezikohej seriozisht, është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.