Elbasan, përgatitet lista për mësuesit që do të lënë punën
Drejtoria Rajonale e Arsimit në Qarkun e Elbasanit po shkon drejt përfundimit të reformës brenda këtij viti shkollor, duke bërë gati listën e mësuesve jashtë profilit, që do të duhet të lënë punën. Në ditët e fundit të marsit ka nisur faza e dytë e kësaj reforme, "sakrificë" kjo që i bie për hise kreut të ri të këtij institucioni, Kujtim Mema. Ky i fundit, ndërsa ka dhënë sinjalet e para dje për mediat, sot në mesditë bën analizën vjetore të arsimit në Elbasan, ku ndër pikat më të rëndësishme do të diskutohet për reformën arsimore. Kreu i ri ka shpjeguar shkurt drejtimet kryesore dhe parimet e shkurtimeve deri në nivelet e shkollave të mesme të Qarkut të Elbasanit. "Nuk është më sekret që reforma në arsim do të prekë së pari mësuesit pa arsim përkatës dhe ata jashtë profilit. Për të dyja kategoritë, listat janë bërë gati", ka pohuar kreu i arsimit në Elbasan, Kujtim Mema. Sipas tij, reforma arsimore në tre nivelet e arsimit, pa atë të lartin, do të prekë të gjitha nivelet e shkollave në qark, por politika e kuadrit mbetet kompetencë e vetë zyrave arsimore në rrethe, ndërsa drejtoria rajonale vetëm sa ndjek këtë reformë me konsulencë teknike dhe është përgjegjëse vetëm për Rrethin e Elbasanit. Sipas statistikave paraprake, rreth 40 është numri i mësuesve që do t‘i thonë "lamtumirë" profesionit, për shkak të të qenit të tyre vetëm me shkollën e mesme pedagogjike. "Më vjen keq për këtë kategori mësuesish të mbetur në nivelin e arsimit profesional, pasi ata kanë shërbyer në shumë rrethe të këtij qarku e në shumë fshatra të rrethit, por reforma në këtë sektor është hartuar nga Ministria së Arsimit dhe ne jemi thjeshtë zbatues të kësaj reforme", tha Mema. Ai thekson se mund të ketë përjashtime të pakta për ata mësues me shkollë të mesme profesionale që mbushin moshën e pensionit në fund të këtij viti shkollor dhe për këtë shkak ata edhe mund të mos shkurtohen nga puna. Ndërsa për një numër të vogël mësuesish, me arsim të mesëm të përgjithshëm apo ekonomiko-bujqësor, që kanë qenë të punësuar në zona të thella malore, në zbatim të reformës nuk mund të bëhet asnjë tolerim. Në këtë kuadër do të shkarkohen nga detyra edhe drejtorë të shkollave nëntëvjeçare në fshatra të largëta që janë me arsim të mesëm, numri i të cilëve shkon në 14 persona.