E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Serbia do ta njohë Kosovën pas 11 majit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Kranjë të Sllovenisë, ka deklaruar se Beogradi mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës pas zgjedhjeve të 11 majit. Kosova pret njohjen nga të gjitha vendet e BE-së, tha Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së. Thaçi ka deklaruar se Beogradi mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës pas zgjedhjeve të 11 majit. "Mendoj se Serbia do të fillojë të ecë drejt njohjes së pavarësisë, sepse atje kemi dy opinione, privatisht të gjithë e pranojnë pavarësinë, por zyrtarisht atyre u duhet ende kohë, ndoshta deri më 11 maj", ka pohuar Kryeministri Thaçi. Ndërkaq, gjatë një interviste për televizionin e Kosovës, Thaçi ka treguar mbi Samitin e BE-së, ku për herë të parë Kosova përfaqësohej si shtet më vete.

Z. Kryeministër, çfarë mund të na thoni lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës?

Mirëpritja dhe njohja e shteteve të BE-së është impresionuese. Të gjithë e vlerësojnë suksesin e arritur në Kosovë me shpalljen e pavarësisë, me menaxhimin e situatës dhe progresin e përbashkët të arritur me ndërkombëtarët. De fakto, Kosova është pjesë e Evropës, është duke implementuar suksesshëm kriteret demokratike për t‘u integruar në strukturat e NATO-s dhe të BE-së. Ishte konkludim i të gjithëve se pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, si dhe një frymë të re evropiane për Kosovën, për rajonin. Rikonfirmova edhe një herë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rendit demokratik, vendit multietnik me të drejta të barabarta për minoritarët dhe respektim afirmativ të tyre për t‘u integruar në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare. Gjithashtu theksova paprekshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, si territor i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht.

Cili ka qenë qëndrimi i shefave të diplomacive të BE-së?

Kishte mbështetje të plotë për Kosovën dhe në të njëjtën kohë falënderova të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet përreth që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. I ftova edhe ato pak vende që kanë mbetur që ta njohin Kosovën, dhe për këtë kishte mirëkuptim. Ritheksova edhe njëherë zotimet e Kosovës për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Ishte konkludim i përbashkët se pavarësia e Kosovës ka sjellë progres, ka hapur perspektivë rajoni dhe zhvillim ekonomik të vendit, si dhe një perspektivë euro-atlantike. Kosova po ndërton raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit: me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe ndërkohë presim të ndërtojmë raporte të mira në të ardhmen demokratike edhe me autoritetet në Serbi. Por, me këtë rast kam shprehur edhe shqetësimin e nxitjes së drejtpërdrejtë të dhunës nga Beogradi, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe domosdoshmërinë e evitimit të kësaj politike të shekullit të kaluar dhe ndikimit të autoritetit evropian, në mënyrë që Beogradi të fillojë definitivisht të reflektojë dhe të njohë realitetin se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›