E Diel, 1 Nëntor 2026

Nobelisti Ferid Muradi: Tani Kosova duhet të punojë shumë

Në një letër dërguar gazetës "Illyria" në Nju Jork, nobelisti shqiptaro-amerikan, Ferid Muradi, uron kosovarët për momentin e tyre të madh të lirisë. "Kanë pritur për një kohë të gjatë këtë moment të lirisë, për të marrë në duar të ardhmen dhe fatin e

tyre", shkruan ai. Nobelisti i shquar, babai i të cilit emigroi nga trojet shqiptare që sot janë pjesë e Maqedonisë, shpjegon vonesën e pavarësisë së Kosovës me ndodhjen pranë rrugëve tregtare ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. "Pozicioni i Kosovës, shkruan ai, ishte një pjesë kaq e rëndësishme e Evropës Lindore, sa që ka kaluar nga një pushtim në tjetrin për shekuj me radhë".

Mjeku dhe farmakologu i shquar, që zbuloi se nitroglicerina mund të zgjerojë diametrin e damarëve të gjakut, zbulim i cili u ka shpëtuar dhe zgjatur jetën qindra e miliona njerëzve në botë, ka edhe disa këshilla për ta bërë jetëgjatë lirinë dhe stabilitetin

politik në Kosovë. Sipas tij, kyç është vështrimi nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Konfliktet duhen lënë pas, fqinjëve u

duhet zgjatur dora dhe respekti e bashkëpunimi duhet të jenë fryma udhëheqëse. "Bashkëpunimet në arsim, kërkime shkencore, shëndetësi dhe tregti vetëm forcim do u sjellin kombeve të Ballkanit", këshillon shkencëtari, duke premtuar se kjo prirje do të përmirësojë cilësinë e jetës dhe gjendjen ekonomike të

kosovarëve. Ndonëse asnjëherë nuk ka lënë rast pa përmendur

prejardhjen e tij shqiptare, përfshi këtu edhe momentin e marrjes së çmimit "Nobel" në vitin 1998, Ferid Muradi në letrën për Kosovën, dërguar gazetës "Illyria", preferon të ndalet te martesat e përziera në familjen e tij dhe te përvoja e suksesit të Shteteve të Bashkuara. Kosovës, e cila ka një test të vështirë me pakicën e saj trazuese serbe, doktori i shquar i kujton se shembulli i Amerikës tregon që bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mes njerëzve nga kombe, fe e gjuhë të ndryshme, mund të zbërthejë energji të jashtëzakonshme. Ai nënvizon se edhe Amerika dikur ka

qenë e ndarë nga konflikte e urrejtje që sot me sukses

janë lënë pas. Ferid Muradi përmend martesën e babait të tij, një

shqiptar mysliman, me nënën amerikane, të krishterë baptiste, si dhe martesat mikse të fëmijëve të tij për të dhënë një shembull të "mozaikut heterogjen gjenetik të Shteteve të Bashkuara", ku vlera e vërtetë e njeriut qëndron mbi çdo parakusht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›