Unë, prokurori i Berishës që arrestova Nexhmie Hoxhën
TIRANË- “Unë kam zbatuar vetëm ligjin dhe këtë gjë po bej edhe me hetimet e dosjes së Gërdecit”. Kjo është përgjigjja e prokurorit Zamir Shtylla në lidhje me akuzat e bëra paraditen e djeshme nga kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Drejtuesi i hetimeve të një prej dosjeve më të rëndësishme, asaj të Gërdecit, nuk ka preferuar të bëjë komente të tjera mbi akuzat e Berishës duke i konsideruar ato si emocionale dhe aspak të vërteta. Gjatë prononcimit të dhënë për gazetën “Shekulli” prokurori ka lënë të kuptohet se këto akuza kanë të bëjnë me hetimet e dosjes së Gërdecit ku në shtypin e përditshëm është përfolur edhe emri i djalit të kryeministrit të përfshirë në aferat e trafikut të armëve drejt Afganistanit.
I kontaktuar dje nga “Shekulli”, prokurori Shtylla ka pohuar se është shumë i qetë dhe nuk është shqetësuar aspak nga akuzat. Ai ka shpjeguar se e gjithë karriera e tij është bazuar vetëm mbi ligjin. Këtë ka bërë para vitit 90-të ashtu edhe në vitet e demokracisë. Si për ironi, prokurori i “kryqëzuar”, i ka kujtuar kryeministrit Berisha se është i njëjti njeri që Berisha si President e ka emëruar në një nga postet më të rëndësishme të Prokurorisë së Përgjithshme. “Jam i njëjti prokurorqë pas viteve 90-të isha Drejtuesi i grupit hetimor ku së bashku me kolegët e mikërkuam arrestimin e Nexhmie Hoxhës dhe ish- anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. Unë vazhdoj t’ibindem ligjit dhe askujt tjetër. Jam po unë që me dekret të Berishësjam emëruardrejtor i hetimeve dhe i kontrollit të veprimeve hetimore. Unë kam zbatuar ligjinashtu siçpo bëj edhe me hetimet që po drejtoj në dosjen e Gërdecit”,- tha dje Zamir Shtylla. Duke mos preferuar të bëjë asnjë koment mbi akuzat e kryeministrit Berisha, prokurori tha se hetimetmbi dosjen e Gërdecit janë drejt përfundimit. Megjithëse nuk ka preferuar të jetë i drejtpërdrejtë, prokurori ka lënë të kuptojë se akuzat e kryeministrit kanë lidhje edhe me hetimet që ai drejton për një nga tragjedinë më të rëndë në vend. Në shtypin e përditshëm jo rrallë herë është përfolur përfshirja e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës, në këtë çështje. Deri më tani grupi i hetimit ka vërtetuar se emri i një biznesmeni, mik i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, nuk është lakuar vetëm për trafikun e fishekëve drejt Afganistanit, por edhe për fabrikën e vdekjes në Gërdec. Gjatë kontrolleve në zyrën e MEICO-s, përfaqësuesit e prokurorisë kanë sekuestruar një autorizim në emër të Rrahman Selmanllarit, ku i ngarkohej të kthente ish-repartin e tankeve në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec.
Kështu kompania amerikane “Southern Ammunition Company”, ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry III përfaqësohej në Shqipëri nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, biznesmenit “në hije”, Rrahman Selmanllari.Ndërkohë që para pak kohësh u bëpublike një faks i ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçit, drejtuar Shkëlzen Berishës. Prokurori Shtylla thotë se denoncimet e bëra nga media janë pjesë e verifikimeve të grupit të hetimit por sipas tij më i rëndësishmëm është fakti se hetimet e dosjes së tragjedisë që i mori jetën 26 personave dhe shkatërroi një fshat të tërë është drejt përfundimit. Pikërisht në këtë kohë, Kryeministri Berisha ka hedhur një sërë akuzash drejtuar prokurorit të kësaj çështjeje ndërkohë që nga prokuroria e përgjithshme nuk ka pasur dje asnjë deklaratë zyrtare mbi këto akuza.