Gjyqtarja Hajdari rrëzon Prokurorinë për Bashën
TIRANË- Bashkëshortja e ish- deputetit demokrat Azem Hajdari, gjyqtarja Fatmira Hajdari, ka marrë edhe një herë krahun e ministrit pa imunitet, Lulzim Basha duke kërkuar që prokuroria të tërhiqet nga akuzat e saj. Ajo ka marrë dje një vendim nëpërmjet të cilit deklaron të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore e procedurale të Prokurorisë së Përgjithshëm në lidhje me dosjen e rrugës “Durrës- Kukës” që janë kryer pas datës gjashtë nëntor. Paraditen e djeshme, ajo vendosi të pranojë kërkesën e avokatit mbrojtës të Lulëzim Bashës, duke deklaruar të pavlefshme edhe marrjen e tij si të pandehur. Me këtë veprim ajo, edhe pse është gjyqtare e shkallës së parë, ka dalë mbi Gjykatën e Lartë që ka vendosur shqyrtimin e dosjes.
“Gjykata, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve në proces, atë të palës ankuese mbrojtësit të shtetasit nën hetim Lulëzim Basha, avokat Zef Nikaj dhe përfaqësuesit të prokurorisë prokurorit Arben Kraja, vendosi të deklarojë të pavlefshëm aktet procedurale të prokurorisë. Më konkretisht bëhet fjalë për fletëthirrjen e datës 24 nëntor 2008, aktit të njoftimit të akuzës së datës 27 nëntor 2008 të dërguar në adresë të personit nën hetim Lulëzim Basha nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, si dhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasme të ndërmarra nga prokuroria”,- thuhet në vendimin e djeshëm. Sipas saj, të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dosjen janë të pavlefshme. Gjithashtu, me anë të këtij vendimi gjyqtarja Hajdari shpall të pavlefshme edhe veprimet e prokurorisë, e cila pas mosparaqitjes së të pandehurit Basha në prokurori ia ka nisur me agjencinë postare vendimin për njohje me akuzat e reja, njoftimin e mbylljes së hetimeve dhe dërgimin e kërkesës për gjykim bashkë me pesë fashikujt e dosjes hetimore me postë, si dhe njoftimin për dërgimin e dosjes penale për gjykim pranë Gjykatës së Lartë. Të gjitha këto veprime të prokurorisë, gjyqtarja Hajdari i ka cilësuar të pavlefshme, duke rrëzuar të gjitha hetimet e kryera nga prokuroria, duke i lënë një debat të ashpër gjyqësor anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe palëve në këtë proces në lidhje me interpretimin e Kodit të Procedurës Penale.
Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, edhe ky vendim si vendimi i pak ditëve më parë marrë nga gjyqtarja Hajdari është cilësuar i njëanshëm dhe me prapavijë politike. “Gjyqtarja Fatmira Hajdari në vendimin e saj, dhënë paraditen e djeshme përveç se mori një vendim duke shkelur ligjin, por vazhdoi më tej duke tejkaluar kompetencat e objektit të kërkesë padisë së bërë nga avokati mbrojtës i të pandehuri Lulëzim Basha. Pasi mbrojtësi i këtij të pandehur ka kundërshtuar në gjykatë dy aktet e prokurorisë, siç është fletëthirrja e dërguar për njohjen me akuzat e reja dhe marrjen e tij në pyetje në cilësinë e të pandehurit, ndërsa gjyqtarja Hajdari në vendimin e saj ka vendosur për të gjitha aktet hetimore e procedurale të kryera nga ne. Këtë vendim do ta apelojmë pranë Gjykatës së Apelit edhe pse është i paligjshëm dhe nuk ka efekt pasi dosja tashmë ndodhet pranë Gjykatës së Lartë, institucioni më i lartë i hierarkisë gjyqësore e cila pret ta marrë në shqyrtim këtë dosje”,-thanë burimet e “Shekullit” pranë Prokurorisë së Përgjithshme.